E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë psikologia Almeda Xhaferri. Ajo ka folur më shumë mbi marrëdhëniet toksike, si t’i dallojmë ato, si dhe narcistët…
A mund të lidhen emocionalisht narcistët?
Një narcist e ka të pamundur të përfshihet emocionalisht, është e vetmja aftësi që nuk e ka brenda vetes. Narcistët nuk e kanë aftësinë të përfshihen në nivele atashimi.
Krijojnë varësi me viktimën e tyre?
Krijojnë varësi për t’u ndjerë të validuar, të mikluar, të vlerësuar. Krijojnë varësi ndaj pushtetit dhe kontrollit. Por jo ndaj një lidhje emocionale autentike, të duan ta rrisin tjetrin dhe ta ngrenë në një lartësi me veten. Partnerët abuzues ndihen mirë dhe komodë kur marrëdhënia është e pabarabartë. Kur kanë kontrollin, vendosin për gjithçka dhe tjetri është aty për t’iu përgjigjur nevojave të tij dhe ai neglizhon çdo nevojë tënden emocionale, psikologjike, sepse ti nuk vlen, ti vlen vetëm nëse i përmbush apo thith prej teje atë energji që supozohet t’i ushqejë shpirtin. Por shpirti i një narcisti për fat të keq është bosh, është si një greminë. Hidh çfarë të duash aty brenda, do humbasë në të.