Bota

Kriza politike në Gjeorgji, presidenti i ri bën betimin!

Mikheil Kavelashvili, ish-futbollist dhe politikan populist i krahut të djathtë, bëri betimin si president i ri i Gjeorgjisë, në mes të një krize politike disamujore. Salome Zurabishvili u largua nga rezidenca e saj në pallatin presidencial në Tbilisi, por tha se vazhdon të jetë presidentja legjitime.

Politikania properëndimore, Zurabishvili, mandati i së cilës përfundon sot, pretendoi se pasardhësi i saj, i zgjedhur nga Kolegji Zgjedhor i dominuar nga partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, nuk është “legjitim”.

Gjeorgjia përballet me protesta antiqeveritare që kur Ëndrra Gjeorgjiane shpalli fitoren në zgjedhjet parlamentare të tetorit, që u përshkruan me akuza të blerjeve të votave, votimeve të dyfishta, dhunës fizike e frikësimit. Protestat u intensifikuan pas vendimit të qeverisë muajin e kaluar që të shtyjë negociatat për anëtarësimin e Gjeorgjisë në Bashkimin Europian.

Në një fjalim para mijëra mbështetësve të mbledhur jashtë pallatit presidencial më 29 dhjetor, Zurabishvili deklaroi:

Vazhdoj të jem presidentja e vetme legjitime dhe zotohem të vazhdoj betejën.

Deklaratat erdhën disa momente pasi Kavelashvili, 53-vjeç, kritik i Perëndimit, u inaugurua gjatë një ceremonie në Parlament.

Një ditë më parë, kryetarja e shtetit Zurabishvili iu bashkua protestuesve në Tbilisi, ndërsa pjesëmarrësit valëvitën flamuj të Gjeorgjisë dhe të Bashkimit Europian e marshuan në kryeqytet. Ky tubim shënoi njëmujorin e valës së fundit të protestave, që janë shoqëruar me veprime të dhunshme të policisë, arrestime masive e lëndime të protestuesve.

Protestuesit e akuzojnë Qeverinë e Ëndrrës Gjeorgjiane se po e largon shtetin nga BE-ja dhe po e afron me Moskën zyrtare. Më 27 dhjetor, pra dy ditë më parë Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja ndaj miliarderit të afërt me Rusinë, Bidzina Ivanishvili, ish-kryeministër i vendit dhe themelues i Ëndrrës Gjeorgjiane. Uashingtoni e ka akuzuar për minim të demokracisë në Gjeorgji, “për interesa të Federatës Ruse”. Sanksionet nxitën zemërimin e Ëndrrës Gjeorgjiane, por u mirëpritën nga opozita.