Ditën e sotme u hodh shorti për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë për edicionin 2024-2025. Katër skuadrat që kanë siguruar një vend në këtë fazë janë Partizani, Vllaznia, Egnatia dhe Dinamo City. Në shortin e zhvilluar në mjediset e “Shtëpisë së Futbollit” ishte i pranishëm Drejtori i Departamentit të Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, FSHF, Marjus Sulejmani, si edhe përfaqësuesit e klubeve e të mediave po ashtu.
Shorti përcaktoi dy çiftet gjysmëfinaliste e që janë: Vllaznia-Dinamo City dhe Egnatia-Partizani.
Ndeshjet e kësaj faze, ku do të përcaktohen edhe finalistët e këtij edicioni janë planifikuar të luhen në datat 2 prill dhe 23 prill, ndërkohë që finalja e madhe do të jetë në datën 1 maj.
Çiftet e fazës gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë:
Vllaznia-Dinamo City (2 prill)/ Dinamo City-Vllaznia (23 prill)
Egnatia – Partizani (2 prill )/ Partizani-Egnatia (23 prill)