Drejtuesit e “Amazon MGM Studios” kanë dhënë përditësime minimale mbi filmin e ardhshëm të James Bond gjatë prezantimit në CinemaCon 2026, duke theksuar se projekti do të publikohet “kur të vijë koha e duhur”.
Studioja, e cila së fundmi mori kontrollin krijues të sagës së spiunazhit, ka zgjedhur Denis Villeneuve për të drejtuar filmin e ri. Vendimi është pritur pozitivisht, duke marrë parasysh suksesin e tij me “Dune”. Ndërkohë, skenari do të shkruhet nga Steven Knight.
Producentët Amy Pascal dhe David Heyman tashmë përballen me sfidën më të madhe: përzgjedhjen e aktorit që do të marrë rolin ikonik të Bond-it.
E di që të gjithë po pyesni veten se kur do të shpallim se kush do ta luajë James Bond-in
-u shpreh Courtenay Valenti nga studioja.
Mos u emociononi shumë. Dijeni se po e bëjmë këtë me kujdes dhe respekt të thellë.
Ajo shtoi se kombinimi i kësaj franshize legjendare me një ekip të tillë krijues “hedh themelet për diçka vërtet të denjë për trashëgiminë e Bond-it”.
Ndërkohë, spekulimet vazhdojnë të qarkullojnë, me emra si Jacob Elordi, Callum Turner dhe Louis Partridge që përfliten si kandidatë të mundshëm për rolin e agjentit 007.
Kushdo që do të përzgjidhet, do të ketë një sfidë të madhe përpara, pasi pason suksesin e Daniel Craig, i cili u bë një nga Bond-et më të suksesshëm me filma si “Skyfall” dhe “Casino Royale”.
Craig u largua zyrtarisht nga roli pas “No Time to Die” në vitin 2021, duke lënë pas një standard të lartë për pasardhësin e tij.
Tashmë, fansat në mbarë botën presin me padurim zbulimin e fytyrës së re të agjentit më të famshëm në historinë e kinemasë.