Aktualitet Politikë

Kuvendi seancë për buxhetin 2025, opozita: Nuk iu përkushtohet qytetarëve!

Ndërsa sot Kuvendi nis diskutimin në parim të projektbuxhetit për vitin 2025, në një seancë maratonë dyditore, drafti përmbush dy objektiva themelorë, rritje ekonomike të qëndrueshme, duke krijuar punësim, zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët shqiptarë, si dhe konsolidim fiskal, me qëllim final uljen e borxhit publik e ruajtjen e të gjitha parametrave makroekonomikë e fiskal në nivele pozitive.

Por opozita thotë se projektbuxheti nuk mbështet pensionistët, injorohen totalisht shëndetësia, arsimi, fermerët dhe biznesi. Partia Demokratike ka kritikuar qeverinë për prioritetet e vendosura në buxhet. Sipas PD-së, ky është një buxhet që nuk u përkushtohet qytetarëve.

Investimet që bëhen me këtë buxhet, janë pa asnjë lloj fitimi. Ky buxhet parashikon zero rritje pagash dhe injoron totalisht shëndetësinë, arsimin, fermerët dhe biznesin. Rreth 800 mijë pensionistë janë injoruar nga qeveria, duke caktuar për ta vetëm 16 milionë euro.

Por, çfarë parashikon drafti?

Të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen në masën 754.6 miliardë lekë ose 28.8% e PBB-së dhe krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024, me rreth 40.6 miliardë lekë më shumë. Shpenzimet Buxhetore, në projektbuxhetin e vitit 2025 janë parashikuar në nivelin 822.7 miliardë lekë me një rritje në vlerë absolute prej 51.4 miliardë lekë, krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2024.

Përmes këtij buxheti do të marrin mbështetje sektorët prioritarë, si: arsimi, shëndetësia, infrastruktura, shërbimet digjitale, bujqësia, si dhe do të financohet me prioritet Plani i Rritjes së Bashkimit Europian (BE) për Ballkanin Perëndimor, si një instrument i rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike e sociale të vendit tonë.

Financimi i investimeve publike të programuara do të jetë në masën rreth 162 miliardë lekë ose 6.2% e PBB-së, duke mbështetur e zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë, infrastrukturën. Po ashtu, materializohen objektivat kryesorë të politikës fiskale, siç është një balancë primare pozitive dhe reduktimi i borxhit publik në raport me Produktin e Brendshëm Bruto.

Për vitin e ardhshëm Qeveria synon një nivel borxhi prej 55.8 % të PBB-së, nga 56.3 % që pritet të arrijë deri në fund të vitit 2024. Gjithashtu sigurimi i një raporti produktiv midis huamarrjes totale neto të buxhetit dhe shpenzimeve kapitale të qeverisë qendrore, mbetet një prioritet i saj.