Aktualitet

Mashtrim me shitjen e apartamenteve, 2 të arrestuar në kryeqytet/ 1 notere në kërkim!

Dy raste mashtrimi me shitjen e apartamenteve janë hetuar dhe goditur nga Policia e Tiranës, duke çuar pas hekurave dy të dyshuar. Në kërkim u shpall edhe një notere që ka ndihmuar njërin prej të ndaluarve të falsifikonte dokumentet. Operacioni i koduar “Apartamentet” dhe i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare vuri në pranga autorët e dy rasteve të mashtrimit.  Të arrestuarit janë Marjo Qose e Nani Kolovani. Në kërkim u shpall noterja Majlinda Demollari.

Njoftimi policor: 

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Apartamentet”, i cili goditi dy raste mashtrimi me pasuri të paluajtshme. Në vetëm 24 orë, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ka vënë në pranga dy persona, ndërsa një notere është shpallur në kërkim.

Sipas Policisë, i arrestuari M.Q., 31 vjeç, ka mashtruar një qytetar 34-vjeçar, duke i marrë 75 mijë euro me pretendimin se do t’i blinte një apartament në Tiranë. Pasi ka përfituar shumën, ai nuk ka realizuar blerjen dhe është shmangur nga kontakti me viktimën për më shumë se një vit.

Rasti i dytë përfshin N.K., 48 vjeç, i cili shiti dy herë të njëjtin apartament, duke mashtruar blerësit dhe duke përfituar shuma të konsiderueshme parash. Hetimet zbuluan se në këtë skemë mashtrimi është përfshirë edhe një notere, M. D., 57 vjeçe, e cila ka përpiluar dy kontrata shitjeje për të njëjtën pronë. Ajo është shpallur në kërkim dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e saj.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërkohë që Policia bën apel qytetarëve të denoncojnë raste të ngjashme të mashtrimit me prona.