Me urdhër të SPAK, policia dhe forcat speciale RENEA kanë kryer këtë të premte arrestimin e Safet Bajrit, njeriut të dyshuar për një sërë ngjarjesh të rënda kriminale që kanë tronditur Shkodrën vitet e fundit.
Mësohet se Bajri do të shoqërohet për në ambientet e Policisë së Tiranës, ku dhe do të merret në pytetje për dyshimet e prokurorëve për vrasjen e Fatbardh Licit në vitin 2018.
SPAK ka lëshuar masë sigurie edhe për ish-boksierin Asmer Bilalin, i cili ndodhet në burg pas arrestimit në korrik 2023 për operacionin “Metamorfoza” si i i dyshuar për grup kriminal bashkë me një prokuror, një drejtues policie dhe një biznesmen.
Dyshohet se Bilali ka qenë i përfshirë në vrasjen e para 7 viteve të Fatbardh Licit si bashkëpunëtor i Bajrit.
Sipas burimeve paraprake, mes akuzave për të cilat ka masë është edhe ajo e grupit kriminal. Sipas avokatëve të Safet Bajrit, klienti i tyre ishte thirrur në orën 11:00 për të dhënë deklarime, por pas mbërritjes në polici, i është komunikuar se marrja në pyetje e tij do bëhet në Tiranë.
Gjithnjë sipas burimeve, avokatët e tij kanë pohuar se Bajri është ndaluar me qëllim për t’ju marrë analizat e ADN, pasi dyshohet se ka gisht në vrasjen e Fatbardh Licit, ngjarje e ndodhur në vitin 2018 në mes të Shkodrës.
Ndërkohë, pak ditë më parë, me urdhër të SPAK, RENEA kreu kontrolle në disa vende në Shkodër, mes të cilave edhe në banesën e Safet Bajrit.
Kontrollet u kryen për llogari të hetimeve për masakrën e Dobraçit, ku në një atentat humbën jetën Hamza Lici e Arlind Bushati, si dhe çifti i i bashkëshortëve Bashkim e Flutura Basha.