Aktualitet Lajmet e fundit

Megaoperacioni në Elbasan/ SPAK njoftim zyrtar: Masa sigurie për 21 persona, 18 arrest me burg, mes tyre edhe zyrtari i lartë i policisë

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion doli me njoftim zyrtar për megaoperacionin e zhvilluar këtë të hënë.

Pas hetimit të SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktoi masat e sigurisë për 21 persona, ku përfshihen anëtarët e organizatës kriminale, një zyrtar i lartë policie, një gjyqtar në detyrë gjatë kryerjes së aktivitetit kriminal, një avokat dhe dy gazetarë.

“Në kuadër të hetimit të një organizate kriminale me shtrirje ndërkombëtare, me kërkesë të Prokurorisë se Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkalles së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masat e sigurisë për 21 persona, ku përfshihen anëtarët e  organizatës kriminale, një zyrtar i lartë policie, një gjyqtar në detyre gjatë kryerjes së aktivitetit kriminal, një avokat dhe dy gazetarë.

LEXO EDHE: Vetting-un do ta bëjë edhe SPAK-u/Hetim prokurorëve e gjyqtarëve!
Masat e caktuara të sigurisë janë si më poshtë:

Arrest me burg –  18 persona (përfshire ish gjyqtarin dhe zyrtarin e lartë të policisë së shtetit);

Arrest në shtëpi –  1 avokat, Blerina Beqiri

Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore –  2 gazetarë, Elton Qyno dhe Artan Hoxha.

Operacioni për ekzekutimin e masave të sigurisë i cili po mbështetet nga Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese shqiptare dhe evropiane, është në vijim.

Me qëllim ruajtjen e integritetit të këtij operacioni, Prokuroria e Posaçme do të publikojë më shumë të dhëna rreth këtij hetimi ditën e nesërme”, thekson SPAK.

Sot janë kryer kontrolle banesash ndaj 13 shtetasve midis tyre ish gjyqtarë, ish prokurorë por edhe në banesat e të afërmve të të shumë kërkuarit Suel Çela, pas një hetimi të SPAK që ka sërish si referim bisedat në Sky ECC dhe Enchro.

Ky hetim ka sjellë masën e arrestit ndaj Pajtime Fetahut, ndaj të cilës në gusht ishte firmosur një tjetër masë ndalimi ajo e arrestit shtëpiak mbasi dilte në dosjen “Çopja”.

Po ashtu masë sigurie arrest shtëpie është vendosur edhe ndaj avokates Blerina Beqiri e cila ka mbrojtur interesat e disa personave të dyshuar si pjesë e grupit të Suel Çelës.

Kontrollet e banesave janë kryer edhe në banesat e ish gjyqtarëve Zihni Shahu dhe Taulant Tafa dhe në shtëpitë e dy ish prokurorëve të shkarkuar nga Vettingu.