Aktualitet

Meloni: Nëse Shqipëria realizon çështjet teknike dhe kjo përkon me presidencën e Italisë, ne do e ndihmojmë në negociatat për anëtarësimin në BE

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ndau të njëjtin mendim me homologun shqiptar Edi Rama gjatë konferencës për shtyp, që Shqipëria të arrinte të çelte negociatat e anëtarësimit për BE gjatë presidencës së Italisë në BE në fillim të vitit 2028.

Ajo u shpreh e gatshme të ndihmonte vendin tonë edhe në reformat që duhen dhe çështjet teknike, teksa shprehu gatishmërinë e plotë të ndihmonte Tiranën zyrtare në negociata, nëse ajo do plotësonte të gjitha çështjet e karakterit teknik të vendosura nga BE.

“Mund ta nënshkruaj qetësisht dhe tërësisht përgjigjen e kolegut. Padyshim që ne duhet të arrijmë aty dhe në fillim duhet të mbyllim ato çështjet teknike. Dhe shpresoj që kjo të përkojë me marrjen e kryesimit të Italisë, nëse kjo ndodh, ne jemi të kënaqur ta ndihmojmë edhe në asistencë për t’i arritur në kohë. Pra ka një kohë deri në 2028 për punën teknike, e dimë që mund të ketë kohë, por edhe mund të mos ketë kohë, ndaj do të donim që të ndodhte”, tha Meloni.

Shefja e ekzekutivit të vendit fqinj u shpreh e gatshme që me ekspertë të drejtësisë italiane të ndihmonte homologët shqiptarë në realizimin e reformave të drejtësisë në çështje legjislacioni dhe ato penale.

“Ndaj edhe autoritetet tona do të ishin të gatshme për të ndihmuar në reformat në drejtësi dhe penale. Italia vazhdon që të jetë djepi i të drejtës dhe sigurisht që jemi të gatshëm që ta ndihmojmë Shqipërinë në arritjen e kësaj reforme”, u shpreh Meloni.