Botë e Çuditshme Travel

Mirëpret afro një milion vizitorë çdo vit, fshati që ndërtoi një gardh në shenjë proteste ndaj turistëve!

Fshati Hallstatt në Austri, një destinacion i preferuar për shumë turistë për shkak të peisazhit të tij natyror ngriti një gardh druri për të bllokuar pamjen e Alpeve në shenjë proteste ndaj fluksit të njerëzve. Një zyrtar komunal i cili kërkoi të mbetet anonim tha për AFP se:

Ne kemi reaguar pas ankesave të banorëve të komunitetit.

Me shtëpitë e tij tradicionale piktoreske të vendosura në bregun e pjerrët pranë një liqeni të pastër kristal dhe me majën e kishës që ngrihet në qiell, Hallstatt mirëpret afro një milion vizitorë çdo vit. Një “kopje” e fshatit u ndërtua edhe në Kinë. Është gjithashtu shumë popullor në Korenë e Jugut, falë një seri televizive që shfaqte emrin e saj.

Hallstatt është shpallur një vend i trashëgimisë botërore nga UNESCO. Gardhi u ngrit me shpresën se turistët nuk do të dynden më në një nga vendet më të njohura për të bërë selfie dhe banorët nuk do të ankohen më për zhurmën.