Teksa një pjesë e botës po digjet nga flakët, agjencia hapësinore NASA publikon pamjet dramatike nga hapësira.
Shënimet me ngjyrë të kuqe tregojnë vendet ku ka vatra aktive zjarresh, ku ‘flakët’ kanë pushtuar Europën Jugore, Amerikën e Jugut dhe të Veriut, pjesën më të madhe të Afrikës së Jugut dhe Australinë.
Jugu i Evropës po përjeton aktualisht një situatë shumë kritike, ku zjarre të fuqishëm kanë përfshirë Italinë, Greqinë, Spanjën, Maqedoninë e Veriut e Turqinë.Zjarret kanë shkrumbuar hapësira të tëra me pemë, qindra shtëpi, ndërsa janë evakuuar mijëra njerëz, duke braktisur shtëpitë e tyre.
Në Turqi 8 persona kanë humbur jetën nga flakët, ndërsa 2 viktima janë regjistruar në Greqi.
Prej disa ditësh edhe Italia është në luftë me flakët. Vatra të shumta zjarri kanë shkrumbuar sipërfaqe të tëra, ndërsa situata më kritike është gjendja në Siçili.
Mediat italiane shkruajnë se autoritetet kanë shpallur gjendjen e emergjencës, për shkak të situatës shumë të vështirë.
Ne kemi shpallur një gjendje krize dhe emergjence për gjashtë muaj për shkak të zjarreve serioze që kanë ndodhur tashmë që nga fundi i korrikut dhe rrezikut të përhershëm për javët e ardhshme, për shkak të situatës klimatike, tha kryetari i rajonit, Nello Musumeci.
Po ashtu, zjarre të shumta kanë përfshirë Amerikën Veriore dhe Jugore, Evropën jugore dhe një pjesë të rusisë.