Lajmet e fundit

Ndahet nga jeta Leonard A. Lauder, gjeniu pas suksesit global të Estee Lauder!

Industria botërore e bukurisë ka humbur një nga figurat më të mëdha të saj. Leonard A. Lauder, një prej emrave më të rëndësishëm të kompanisë ikonike Estee Lauder, ka ndërruar jetë të shtunën në moshën 92-vjeçare, njoftoi kompania të dielën.

Me largimin e tij, mbyllet një kapitull i rëndësishëm në historinë e kozmetikës globale.

Leonard ishte djali i themeluesve të kompanisë, Estee dhe Joseph Lauder. Ai iu bashkua biznesit familjar në vitin 1958 dhe e udhëhoqi atë drejt zgjerimit dhe suksesit të jashtëzakonshëm.

Falë vizionit të tij, Estee Lauder u shndërrua nga një markë me disa produkte të shitura në SHBA në një gjigant ndërkombëtar me marka të njohura si Aramis, Clinique dhe Lab Series, të pranishme në mbarë globin.

Për më shumë se 60 vite, Leonard Lauder ishte motori i strategjive të reja dhe inovacioneve që e bënë Estee Lauder sinonim të cilësisë dhe besueshmërisë në fushën e kozmetikës.

Përveç suksesit në biznes, ai njihej edhe për kontributet e tij të mëdha në fushën e filantropisë dhe artit.

Lauder dhuroi miliona dollarë për kauza të rëndësishme si shëndetësia, arsimi dhe kultura, duke mbështetur ndër të tjera Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork.

Leonard A. Lauder do të mbahet mend si një vizionar që jo vetëm ndërtoi një markë të fuqishme, por edhe si një njeri që përdori suksesin e tij për të sjellë ndryshime pozitive në shoqëri.

Trashëgimia e tij do të jetojë përmes kompanisë që vazhdon të frymëzohet nga vlerat që ai përçoi ndër vite.