Kina i përgjigjet akuzave amerikane se Organizata Botërore e Shëndetësisë është filo kineze. Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme akuzon Donald Trumpin se sulmon OBSH-në e Pekinin që të heqë vëmendjen nga keqmenaxhimi që i bëri pandemisë së koronavirusit. Trump kërcënoi Organizatën me ndërprerje të përhershme të fondeve amerikane nëse nuk angazhohet në përmirësime të dukshme brenda 30 ditëve. Ndërkaq, OBSH zotohet të bëjë një vlerësim të pavarur të përgjigjes së saj ndaj pandemisë.
Brukseli zyrtar del në krah të OBSH-së duke e mbështetur pas kërcënimeve të presidentit Trump për ndërprerjen e kontributit amerikan. Një zëdhënëse e Komisionit Europian tha se “Ky është momenti ku duhet të tregojmë solidaritet e jo të drejtojmë gishtin apo të minojmë bashkëpunimin shumëpalësh”. Gjithashtu, Trump kërcënoi se do të rishqyrtonte anëtarësimin e Shteteve të Bashkuara në organizatë.