Pjesëmarrja e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në Panairin Ndërkombëtar të Verës, Rakisë dhe Turizmit në Serbi, rikthen polemikat e mosmarrëveshjet mbi nismën “Ballkani i Hapur”. Nga partia shqiptare në opozitë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e Ali Ahmetit, përmes një konference për media u kritikua kryeministri maqedonas Mickoski e koalicionin shqiptar “VLEN”, pjesë e qeverisë, për qëndrime kontradiktore lidhur me këtë iniciativë.
Lëvizja Besa (pjesë e koalicionit VLEN) atë kohë ka akuzuar Qeverinë e Maqedonisë së Veriut se është pjesëmarrëse në projektin Ballkani i Hapur, i cili sipas Besës është një projekt serbo-rus. Kandidati presidencial nga koalicioni VLEN, Arben Taravari më 2 prill ka deklaruar se ka gati tre vite që e ka potencuar se Maqedonia (e Veriut) duhet të tërhiqet nga Ballkani i Hapur pasi nuk është iniciativë e mirë, u shpreh deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli.
Kryeministri Hristjan Mickoski, i cili po qëndron në Beograd që nga e premtja e 22 nëntorit, iu referua aktivitetit si një mundësi lidhur me forcimin e lidhjeve ekonomike e bashkëpunimin mes vendeve të përfshira në nismë.
Iniciativa rajonale krijon mundësi që rajonin tonë e lidhin me botën e pikërisht kjo platformë është një shembull se si tradita dhe inovacioni mund të ecin dorë për dore.
“Panairi “Wine Vision” nga Open Balkan nuk është vetëm vend ekspozimi e degustimi. Eshtë edhe një forum për diskutim, edukim e bashkëpunim që do të sjellë përfitime afatgjata. Jam i sigurt se suksesi i përbashkët që ndajmë këtu do të jetë vetëm fillimi i arritjeve edhe më të mëdha në të ardhmen.
Pjesë e iniciativës “Ballkani Hapur” janë Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria. Për Mickoskin, kjo është pjesëmarrja e parë në një veprimtari të “Ballkanit të Hapur”, si kryeministër. Vizita e tij në Beograd përfshiu takime me presidentin serb, Aleksander Vuçiç e kryeministrin, Millosh Vuçeviç.
Jam falënderues për faktin që Maqedonia e Veriut është një nga partneret kyçe në nismën Ballkani i Hapur, që u bë simbol i bashkëpunimit të fuqishëm e lidhjes së Ballkanit Perëndimor, thuhet në profilin zyrtar në Instagram të Vuçiç-it.
Më herët, Mickoski kishte deklaruar se “nisma ka shumë mangësi” e në gjendjen aktuale, “nuk është e plotë”. “Ballkani i Hapur” u nis më 10 tetor 2019 në Novi Sad nga presidenti Vuçiç, kryeministri Rama e kryeministri i kohës i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Fillimisht u quajt “Mini-Schengen”. Në kuadër të saj u arritën disa marrëveshje, përfshirë ato për bashkëpunim ekonomik e lëvizje të lirë. Nisma u refuzua nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina.
Të gjitha vendet e Ballkanit janë pjesë e Procesit të Berlinit, nismë e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, që daton prej vitit 2014 e përkrahet nga Perëndimi. Synimi është që të rrisë bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor e gradualisht t’i afrojë me BE-në.