Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se sot, moti karakterizohet nga vranësira dhe reshje të herëpashershme në disa zona të vendit.
Territori ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme. Moti vijon me alternime vranësirash mesatare deri të dendura.
Vranësirat shoqërohen me reshje shiu, fillimisht me intensitet të ulët, duke nisur nga orët e mesditës në jug të vendit. Pas mesditës, reshjet shtrihen edhe në pjesën tjetër të territorit, po ashtu me intensitet të ulët e në formën e shtrëngatave afatshkurtra lokale.
Era fryn me drejtim jugperëndim-juglindje, me shpejtësi mesatare 6 m/s. Në lugina dhe përgjatë bregdetit, kryesisht atij jugperëndimor, herë pas here pritet të arrijë deri në 16 m/s, duke u shoqëruar me valëzim në dete të forcës 2-4 ballë.
Temperaturat variojnë 11-23 gradë Celsius.