Ankthi është një ndjesi e njohur për shumë njerëz – nga stresi në punë, te nervozizmi para një eventi të rëndësishëm.
Por për ata që vuajnë nga çrregullime klinike të ankthit, kjo ndjesi shkon përtej një shqetësimi kalimtar dhe ndikon në mënyrë të thellë në përditshmëri, përfshirë marrëdhëniet romantike.
Ekspertët thonë se të jesh në një lidhje me dikë që përjeton ankth, do të thotë të kuptosh jo vetëm personin që do, por edhe mënyrat mbrojtëse që ai përdor për t’u ndjerë i sigurt.
Kur do dikë me ankth, nuk lidhesh vetëm me të, por edhe me mënyrat që ankthi i tyre krijon për të mbrojtur veten
-shpjegon Carolina Pataky, terapeute e licencuar për çiftet dhe familjet.
Çfarë të presësh në një lidhje me një person që ka ankth?
Ankthi mund të shfaqet në forma të ndryshme – nga mendimet e tepërta dhe frika irracionale, deri te kërkesa për siguri të përsëritur.
Në marrëdhëniet intime, kjo ndikon në vështirësinë për të përballuar pasigurinë, interpretime të gabuar të situatave dhe pyetje të vazhdueshme “po sikur…”.
Sipas trajneres së dashurisë Bree Jenkins, partnerët me ankth mund të kërkojnë shpesh ngushëllim, të shmangin situatat sociale ose të përpiqen për përsosmëri duke punuar pa pushim, në përpjekje për të mbajtur gjithçka nën kontroll.
Si të ndërtohet një marrëdhënie e shëndetshme?
Pataky thekson se frikërat dhe nevoja për siguri nuk janë mungesë besimi, por mënyra të brendshme për të ndjerë kontroll në një botë që shpesh duket e pasigurt. Marrëdhëniet më të shëndetshme janë ato ku ankthi njihet si një faktor i jashtëm dhe përballohet me vetëdije dhe mirëkuptim, jo me frustrim apo fajësim.
Ekspertët kujtojnë se nuk është përgjegjësi e partnerit të shërojë ankthin, por ta mbështesë personin që do, duke e inkurajuar të kërkojë ndihmë profesionale, përfshirë terapinë apo trajtime të tjera të përshtatshme.
Këshilla për të mbështetur partnerin me ankth:
1. Kupto rolin tënd – Nuk je terapist, por partner mbështetës. Krijo një ambient të sigurt ku ai/ajo ndjehet i lirë të flasë dhe të përballet me ankthin.
2. Komuniko hapur – Flisni për çdo keqkuptim me ndershmëri. Dëgjo me durim dhe pa gjykim.
3. Vlerëso ndjenjat, jo frikërat – Mbaj qetësi kur partneri përjeton ankth, pa e forcuar frikën.
4. Vendos kufij të shëndetshëm – Për të ruajtur balancën emocionale dhe për të mbrojtur veten.
5. Inkurajo vetëkujdesin – Ndihmoje partnerin të kujdeset për veten dhe të përdorë mjetet e duhura për menaxhimin e ankthit.
Ekspertët theksojnë se ankthi është shumë i zakonshëm dhe nuk duhet të jetë pengesë për një marrëdhënie të suksesshme.
Me mbështetjen e duhur dhe mirëkuptim të ndërsjellë, një lidhje mund të forcohet edhe më shumë – duke e kthyer sfidën në një pikë bashkimi më të thellë emocional.