Me pajisje për shpërndarjen e protestave, policia po heq bllokadat e trafikut nëpër të gjithë Serbinë. Gazetarët e Radios Evropa e Lirë kanë raportuar edhe për arrestimet e para. Studentë dhe qytetarë nisën të mblidhen herët në mëngjes në Beograd, Novi Sad, Nish e të tjera qytete, ku vendosën kontejnerë e pengesa të shumta në rrugë.
Forcat speciale ndërhynë për t’i larguar nga rruga. Nuk janë shënuar incidente të mëdha deri tani, pasi protestuesit largohen vetë nga trotuaret kur shkon policia. Në qendër të Beogradit janë ndaluar disa pjesëmarrës të bllokadave. Arrestime edhe në Novi Beograd, në afërsi të Fakultetit të Arteve Dramatike.
Studentët dje kishin bërë thirrje për një “bllokadë totale të Serbisë për shkak të brutalitetit policor”. Apeli erdhi pas aksioneve të policisë gjatë natës mes 2 dhe 3 korrikut, kur në disa qytete u arrestuan gati 80 studentë e protestues kundër qeverisë. Ata kishin bllokuar kryqëzimin pranë Fakultetit Juridik në qendër të Beogradit dhe u tërhoqën nga rruga kur u formuan kordonët e policisë.
Pasi forcat e rendit larguan pengesat metalike dhe kontejnerët nga rruga, protestuesit u zhvendosën në një tjetër vend e vazhduan bllokadën, siç raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë. Në mbarë Beogradin, protestuesit po vendosin kontejnerë në rrugë dhe përballen me forcat e shumta të policisë që i heqin bllokadat.
Studentët e Fakultetit të Arteve Dramatike njoftuan në Instagram se një prej tyre u arrestua përpara këtij fakulteti në Novi Beograd. Në Zemun janë bllokuar disa kryqëzime.
Sipas gazetarëve në teren, ka pasur përplasje verbale të vogla mes protestuesve dhe qytetarëve që kundërshtojnë bllokadat, por incidente më të mëdha nuk janë raportuar. Bllokadat protestuese kanë nisur që në mëngjes edhe në Novi Sad e Nish. Edhe në këto qytete janë të pranishme forcat e forta të policisë që po ndjekin protestuesit dhe po i heqin bllokadat.
Daçiç: Jemi efikasë e jo të dhunshëm
Ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç, deklaroi sot se policia ka lejuar grumbullimet në disa zona në Beograd e që nuk janë të një rëndësie jetike për funksionimin e trafikut, ndërsa atje ku ndërhyn, nuk e bën me “përdorim të forcës së tepruar”.
Që në mëngjes, policia është në gjendje gatishmërie, në kuptimin që kemi përcaktuar prioritetet, që të gjitha pikat jetike të qytetit të funksionojnë normalisht.
Daçiç dënoi vazhdimin e bllokadave, duke thënë se “rrezikojnë jetën normale të qytetarëve dhe funksionimin e qytetit”.