Mbi 20 persona u shoqëruan mbrëmë gjatë protestës kombëtare të Partisë Demokratike në Tiranë. Ndër të tjera kryetari Sali Berisha deklaroi:
Shqipëria nuk shpëtohet nga një njeri i vetëm, as dhe nga një forcë e vetme politike. Nuk shpëtohet as dhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë.
Shqipërinë e shpëton vetëm bashkimi i të gjitha partive politike opozitare, shoqërisë civile, intelektualëve dhe të gjithë faktorëve që besojnë se vota e lirë është vendimtare për të ardhmen e shqiptarëve dhe Shqipërisë.
Në kilometrin e fundit, një aleancë e gjerë e opozitës dhe qytetarëve shqiptarë do të bëjë të mundur rrëzimin përfundimtar të narkoshtetit të Edi Ramës.
Pas fjalës së Berishës, nga protestuesit nisi hedhja e fishekzjarreve dhe molotovëve drejt Kryeministrisë.
Efektivët ndërhynë menjëherë për shpërndarjen e tyre, duke përdorur ujë, gazlotsjellës dhe spraj.
U raportua se policia iu sekuestroi rreth 45 molotovë të pashpërthyer.
Protestues dhe deputetë demokratë, përfshirë Luçiano Boçin, Klevis Balliun dhe Flamur Nokën u lënduan pasi policia hodhi gaz lotsjellës si dhe spraj me piper në drejtim të tyre.
Lëndime mori edhe anëtari i Këshillit Kombëtar, Aulon Kalaja, i cili sipas Berishës, u godit me shkop gome. Në spital u dërguan edhe 4 policë.