Selena Gomez dhe bashkëshorti i saj Benny Blanco kanë ndarë detaje personale mbi mënyrën se si përballen me çrregullimin bipolar të artistes, përfshirë edhe “momentet e manisë”.
Gjatë episodit të fundit të podcastit Friends Keep Secrets, ku ishin të ftuar edhe Lil Dicky dhe bashkëshortja e tij Kristin Batalucco, biseda u fokusua te shëndeti mendor.
Blanco e pyeti Gomez nëse e kishte kuptuar më herët që diçka nuk shkonte, para diagnozës zyrtare.
Artistja pranoi se rruga drejt diagnostikimit ishte “shumë e komplikuar” dhe se fillimisht ishte keqdiagnostikuar. Ajo tregoi se kishte kaluar në katër qendra rehabilitimi, përvoja që, sipas saj, e ndihmuan të kuptonte më mirë gjendjen e saj.
Blanco shtoi se ka momente kur Gomez përjeton mani pa e kuptuar menjëherë, ndërsa ajo e dallon episodin vetëm pasi ka nisur. Megjithatë, ai theksoi se këngëtarja është tashmë “shumë e vetëdijshme” dhe shpesh arrin ta identifikojë vetë kur po hyn në një fazë manie.
Jam krenare që mund të flas hapur për këtë. Nuk kam turp fare
-u shpreh Gomez, duke shtuar se tani arrin t’i kapë këto momente më shpejt se më parë.
Ajo vlerësoi Blanco si një partner që e kupton dhe di “të të takojë aty ku je emocionalisht”, duke e ndihmuar ta menaxhojë situatën me qetësi.
Aktorja ka folur publikisht për diagnozën e saj që në vitin 2020, ndërsa më herët kishte rrëfyer se ndjeu një ndjesi “lirie” pasi tregoi historinë e saj.
Sipas saj, të kuptuarit e diagnozës e ndihmoi të shpjegojë reagimet e saj të dikurshme, që shpesh ishin të nxitura nga frika, pasioni apo ankthi.
Gomez është gjithashtu një zë aktiv në mbështetje të shëndetit mendor përmes nismave si Rare Impact Fund dhe eventeve vjetore të Rare Beauty, duke theksuar se ndarja e historisë së saj synon të ndihmojë të tjerët dhe të ndryshojë mënyrën si flitet për shëndetin mendor.