Në ditën e gjashtë të bllokadës në pikat kufitare në veri të Kosovës, situata është përshkallëzuar dhe janë shënuar dy incidente që lidhen me masën e reciprocitetit për targat. Qendra e Regjistrimit në Zubin Potok është djegur nga serbët të cilët kanë hedhur granata dore edhe në Qendrën e Regjistrimit në Zveçan, por që nuk kanë arritur ta djegin.
Që nga data 20 Shtator, dy pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak në veri të Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka akuzuar Serbinë se po cënon paqen në vend. Me një postim në Facebook ku ka reaguar për djegien e Qendrës së Kontrollit të automjeteve, Kurti shprehet se këto veprime po nxiten dhe mbështeten nga Serbia. Më tej ai thotë se Serbia po përdor qytetarët kosovarë për të provokuar një konflikt ndërkombëtar dhe se sulmet e këtilla zjarrvënëse dhe kriminelët që i bëjnë ato nuk do të tolerohen.
Hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale por e qëllimshme. Edhe në Zveçan kanë hedhur dy bomba dore, po ashtu në ndërtesën e qendrës së njëjtë për regjistrimin e automjeteve, por ato fatmirësisht nuk kanë eksploduar. Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar. Sulmet e këtilla zjarrvënëse dhe kriminelët që i bëjnë ato nuk do të tolerohen. Policia e Kosovës është institucion profesional që duhet respektuar nga të gjithë. U bëj thirrje qytetarëve, sidomos në veri të Ibrit, pavarësisht a janë serbë, shqiptarë, boshnjakë apo romë, që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës- shkruan ai.
Pas tensionimit të situatës në Kosovë, ka reaguar edhe Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin i cili e ka quajtur kryeministrin Albin Kurti “budalla”, ndërsa shprehet se ai mjafton për të ndezur luftën. “Nevojiten të paktën dy persona për ta bërë paqen, ndërkaq për luftën mjafton vetëm një budalla, dhe jam i frikësuar se atë budalla e kemi në anën tjetër, ai ndodhet në Prishtinë dhe emri i tij është Albin Kurti”, ka thënë Vulini për mediat serbe.
Nevojiten të paktën dy persona për ta bërë paqen, ndërkaq për luftën mjafton vetëm një budalla, dhe jam i frikësuar se atë budalla e kemi në anën tjetër, ai ndodhet në Prishtinë dhe emri i tij është Albin Kurti, ka thënë Vulini për mediat serbe.