Rajoni

Shpërthim në një fabrikë ushtarake në Serbi, 7 të plagosur…

Disa persona janë lënduar nga një shpërthim që ndodhi në orët e hershme të mëngjesit në repartin e kapsollave të fabrikës ushtarake “Krushik” në Valevë të Serbisë.

Sipas informacioneve jozyrtare nga Spitali i Valevës, janë lënduar shtatë persona, të cilët kanë marrë lëndime të lehta.

Shpërthimi ka ndodhur në orën 07:30, dhe një prej të lënduarve ka pësuar prerje ndërsa të tjerë dëmtime në dëgjim.

“Këtë mëngjes rreth orës 7:40, gjatë aktiviteteve të rregullta të presimit të pentritit, amplifikatori i ndezjes në presën u aktivizua, duke shkaktuar që një punonjës të pësonte prerje dhe katër punonjës të kishin simptoma të zhurmës në vesh. Punëtorët u dërguan në spitalin e Valjevës për ndihmë dhe kontrolle të dëgjimit”, njoftoi Krušik.

Ky është edhe një incident tjetër në vargun e aksidenteve në këtë fabrikë. Incidenti i mëparshëm ndodhi më 3 gusht 2024, kur, sipas njoftimit të drejtuesve, tre persona u lënduan lehtë gjatë punës me kapsolla në repartin e minave.

Asokohe, shumë media raportuan se shtatë punëtorë u lënduan pas një shpërthimi të minës, por fabrika deklaroi se ngjarja “nuk kishte përmasa më të gjera” dhe se ishte shmangur një dëm më i madh në njerëz dhe materiale.

Ky ishte i pesti i ashtuquajtur “aksident” në Krushik gjatë dy viteve të fundit. Në gusht 2022, gjithashtu në repartin e kapsollave, ndodhi një shpërthim gjatë aplikimit të llakut, dhe u lëndua një punëtore.

Në dhjetor të të njëjtit vit, në repartin e ndezësve një makinë i lëndoi dorën një punëtoreje, ndërsa në janar 2023 dy punëtore u lënduan nga një shpërthim teknologjik në repartin e kapsollave. Një tjetër shpërthim ndodhi në muajin maj të po atij viti në repartin e laboratorëve, kur u lëndua një punëtore tjetër.

Në faqen zyrtare të fabrikës janë publikuar vetëm lajme të shkurtra për këto incidente, por deri më tani nuk janë publikuar rezultatet e asnjë hetimi, nuk janë zbuluar shkaqet, dhe nuk është bërë e ditur nëse ndokush ka mbajtur përgjegjësi.

Duke marrë parasysh praktikat e deritanishme, mbetet e paqartë nëse publiku do të njoftohet për shkakun e shpërthimit të sotëm, ku u lënduan shtatë persona.