Mbrëmja e sotme pritet të sjellë emocione të forta në ‘PGE Arena’, aty ku Polonia do të përballet me Shqipërinë në gjysmëfinalet e play-off-eve të Kupës së Botës. Por, ndonëse statistikat historike janë në anën e vendasve, mediat polake kanë ngritur alarmin për formën e liderit të tyre, Robert Lewandowski.
Kombëtarja polake ka një rekord mbresëlënës në këtë stadium, me 28 fitore, 13 barazime dhe vetëm 7 humbje në 48 ndeshje. Megjithatë, shqetësimi kryesor lidhet me efektivitetin e sulmuesit kryesor.
Robert Lewandowski ka shënuar vetëm një gol në katër ndeshje ndaj Shqipërisë dhe nuk ka gjetur rrugën e rrjetës në tre përballjet e fundit ndaj kuqezinjve. Kjo statistikë ka shtuar pasigurinë në prag të një ndeshjeje vendimtare, ku pritet që kapiteni të bëjë diferencën.
Në Poloni, pritshmëritë janë gjithmonë të larta për sulmuesin e tyre kryesor, por këtë herë presioni duket edhe më i madh.
Trajneri i Polonisë, Jan Urban, në konferencë deklaroi:
“Pres një ndeshje të hapur, edhe pse Shqipëria është një ekip i fokusuar në mbrojtje. Ata gjithashtu e dinë se duhet të ketë një rezultat. Në ndeshjet e fundit kundër tyre, na kanë shkaktuar më shumë probleme. Ata janë një ekip me një formacion shumë të qëndrueshëm, i njëjti trajner për disa vite dhe janë të organizuar mirë. Ata mund të bëjnë një surprizë, por shpresoj që jo nesër”- tha trajneri.
Për ndeshjen foli edhe mbrojtësi Jakub Moder. “Nuk do të jetë e lehtë kundër Shqipërisë, e dimë këtë. Ata po luajnë mirë dhe po mbrohen mirë. Çelësi do të jetë shkatërrimi i mbrojtjes së tyre. Pas analizës dhe stërvitjes, e dimë që kemi një plan, një metodë dhe gjithçka do të funksionojë në fund”, deklaroi Moder.
Në lidhje me deklaratat e trajnerit polak, i cili tha se Shqipëria nuk mund të bëjë surprizën, Sylvinho u përgjigj:
“Nuk e di pse e ka thënë këtë. Më është dukur njeri i këndshëm dhe po bën mirë me Poloninë. Ka një ekip shumë të mirë. Por edhe ne jemi skuadër e mirë. Në 2024 kemi një eksperiencë të mirë. Në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka. Duhet të jemi të përgatitur për më mirë.”