Vetëm pak orë para nisjes së ndeshjes së shumëpritur Poloni-Shqipëri, që do të luhet mbrëmjen e sotme, atmosfera sportive ka pushtuar edhe qytetin e Fierit.
Një grup tifozësh fierakë kanë zgjedhur një mënyrë të veçantë për të shprehur mbështetjen e tyre për Kombëtaren, duke mbuluar me flamurin kuqezi një godinë në qendër të qytetit.
Flamuri me shqiponjën dykrenare shtrihet pothuajse në të gjithë fasadën e ndërtesës katërkatëshe, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e kalimtarëve. Përmasat e tij të mëdha e kanë kthyer godinën në një simbol të dukshëm të mbështetjes dhe entuziazmit për ekipin kombëtar.
Ky gjest simbolik është pritur me interes nga qytetarët, ndërsa pritet që mbrëmja të shoqërohet me emocione dhe mbështetje të fortë për Shqipërinë në këtë përballje të rëndësishme.
Sot në orën 20:45 në stadiumin ‘PGE Arena’ të Varshavës luhet ndeshja Poloni – Shqipëri, e vlefshme për gjysmëfinalen play-off të Kupës së Botës 2026. Kjo është një sfidë historike për tanët, pasi për herë të parë kuqezinjtë garojnë në këtë fazë.
Në rast se kombëtarja shqiptare e futbollit kalon sot Poloninë në ndeshjen teke, pas katër ditësh do përballet në transfertë me fituesin e çiftit Ukrainë – Suedi, për të ëndërruar më pas një biletë për në finalet e Kupës së Botës 2026, që këtë vit zhvillohen nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Sa i takon atmosferës, prej mëngjesit të sotëm në rrugët e Varshavës ka nisur festa me këngë dhe valle patriotike, teksa shqiptarët e kanë ‘ngjyrosur’ kuqezi kryeqytetin polak. Diçka më shumë se 3 mijë shqiptarë do mund të jenë në stadium, teksa të shumtë janë ata që kanë udhëtuar edhe pa një biletë. Ndeshja gjykohet nga anglezi Anthony Taylor.