Tenistja e njohur amerikane Danielle Collins ka habitur publikun me një mesazh të sinqertë në rrjetet sociale, ku ka deklaruar hapur se është në kërkim të një burri dhe dëshiron të “bëhet një grua tradicionale”.
31-vjeçarja, e cila është renditur dikur në mesin e dhjetë lojtareve më të mira të botës dhe ka luajtur në finalen e Australian Open, ka treguar se pas shumë vitesh të përkushtuara ndaj karrierës, tashmë ndjen nevojën për t’u fokusuar tek jeta personale dhe krijimi i një familjeje.
Collins, aktualisht e renditur e 68-ta në botë, kishte menduar më parë të tërhiqej nga tenisi për t’iu përkushtuar jetës familjare, por vendosi të vazhdojë edhe disa sezone të tjera.
Pas ndarjes nga biznesmeni Bryan Kipp, sportistja ka nisur një kapitull të ri në jetën e saj, duke hapur një profil në aplikacionin e njohjeve Tinder, ku në përshkrimin e saj ka shkruar se kërkon “burrin e ëndrrave” dhe se dëshiron të lindë fëmijë.
Karriera e Danielle Collins përfshin katër tituj WTA në kategorinë e njësheve dhe një në dyshe, ndërsa ajo vazhdon të mbetet një nga figurat më të njohura të tenisit amerikan.