Aktualitet

Tentuan grabitjen e një biznesmeni në Lushnjë, pranga njërit prej tre autorëve!

Arrestohet në Elbasan njëri prej tre autorëve që tentuan të grabisnin me armë një biznesmen në Lushnjë. Siç bëjnë të ditur burime policore, në pranga ra 66-vjeçari Bukurosh Mukja, (drejtuesi i automjetit), i cili u largua bashkë me dy autorët e tjerë.

Në vijim të operacionit policor të koduar “Parandalimi”, shërbimet e Policisë kanë vijuar ndjekjen e të dyshuarve dhe bënë krehjen e zonës, me qëllim kapjen e tyre. Si rezultat i koordinimit mes Policisë së Lushnjës dhe asaj të Elbasanit, u bë i mundur lokalizimi i njërit prej autorëve të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të uniformave blu.

Njoftimi i Policisë:

Shërbimet e Policisë së Elbasanit, në bashkëpunim me ato të Lushnjës, kapën në lagjen “Kala” të qytetit Elbasan, njërin prej autorëve, konkretisht shtetasin Bukurosh Mukja, 66 vjeç, banues në Elbasan, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Parandalimi”, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”.

Shtetasi Bukurosh Mukja dhe dy shtetasit e tjerë të shpallur në kërkim, Renato Çala e Florenc Tatoshi kishin planifikuar vjedhje me armë në Lushnjë. Por, falë inteligjencës informative, Policia e Lushnjës ka mundur të parandalojë këtë grabitje.

Të tre këta shtetas, kur janë lokalizuar nga punonjësit e Policisë, nuk i janë bindur urdhrit të tyre për të ndaluar, por janë larguar me shpejtësi me një automjet tip “Benz” me targa të falsifikuara, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë që ishin në operacion.

Vijon puna intensive për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të dy autorëve të tjerë të identifikuar e të shpallur në kërkim.