Auto & Moto

Tesla tërheq pothuajse 700,000 automjete nga tregu, çfarë ka ndodhur?!

Tesla ka tërhequr pothuajse 700,000 automjete elektrike për shkak të një problemi me dritën paralajmëruese në sistemin e monitorimit të presionit të gomave. Drita paralajmëruese mund të mos qëndrojë e ndezur ndërmjet cikleve të drejtimit, duke mos paralajmëruar shoferin për presionin e ulët të gomave dhe duke rritur rrezikun e një përplasjeje, sipas prodhuesit. Bëhet e ditur se tërheqja prek disa automjete Model 3, Model Y dhe Cybertruck.

Ndërsa defekti do të zgjidhet përmes një përditësimi të softuerit falas. Ndryshe, Tesla ka njoftuar disa tërheqje gjatë gjithë vitit. Kompania e Elon Musk tërhoqi 1.8 milionë automjete në korrik për shkak të një problemi që mund të rriste rrezikun e një aksidenti. Në shkurt kompania tërhoqi afro 2.2 milionë automjete në SHBA sepse disa drita paralajmëruese në panelin e instrumenteve ishin shumë të vogla. Cybertruck është tërhequr shtatë herë, me një tërheqje muajin e kaluar që përfshinte rreth 2,400 automjete.

Elon Musk së fundmi ka zbuluar arsyet pse paditi BBC-në pas një episodi të emisionit “Top Gear”, ku Tesla Roadster u paraqit në një mënyrë negative. Në vitin 2008, kur episodi u transmetua, Tesla ishte ende një kompani e vogël dhe Musk ishte i shqetësuar se reputacioni i saj mund të dëmtohej nga deklaratat e bëra. Në atë episod, prezantuesi Jeremy Clarkson pretendoi se bateria e Tesla Roadster mbaronte pas vetëm 55 miljesh në pistën e testimit, edhe pse Tesla deklaronte se makina mund të përshkonte deri në 200 milje.

Gjithashtu, Clarkson tha se karikimi i makinës ishte një proces i gjatë dhe episodit iu shtuan pamje ku makina shtyhej nga stafi për ta futur në vendin e caktuar për karikim. Pas episodit, Tesla punësoi avokatë nga firma Carter-Ruck dhe ngriti një padi për shpifje, duke argumentuar se episodi kishte shkaktuar humbje në shitjen e 200 makinave Roadster dhe dëme financiare prej 171,000 dollarësh. Kompania gjithashtu pretendoi se episodi kishte ulur besimin e investitorëve.