Bota

Ultranacionalisti Simion përballë të moderuarit Dan në balotazhin presidencial në Rumani!

Ultranacionalisti George Simion siguroi fitore solide në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani, por nuk mori shumicën e nevojshme për të shmangur një përballje balotazhi me prefektin e Bukureshtit, Nicusor Dan. Pas numërimit të të gjitha fletëvotimeve mëngjesin e sotëm, Simion, udhëheqës 38-vjeçar i partisë AUR, doli i pari me 40.96% apo 3.860,000 vota, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Rumanisë.

55-vjeçari Dan, i konsideruar politikan i moderuar, kaloi Crin Antonescun, pjesëtar i koalicionit qeverisës të vendit, për të zënë vendin e dytë, i ndihmuar nga votat nga diaspora. Dan mori 20.99% dhe Antonescu 20.07. Rreth 973 mijë njerëz votuan në diasporë, siç treguan të dhënat.

Simion doli i pari edhe me votat nga diaspora. Ai siguroi 61% të tyre, i ndjekur nga Dan me 26 dhe Antonescu me 6.8.

Jemi në rundin e dytë. Faleminderit, shkroi Dan në faqen e tij në Facebook.

Anketat pas votimit kishin sugjeruar rezultate të ngjashme të përgjithshme, ndonëse ato i jepnin Simionit një epërsi më të vogël.

Mendoj se është rezultat i pakthyeshëm, siç qëndrojnë gjërat, tha Antonescu, pasi u kalua nga Dan. Unë prezantova një program; vendimi i popullit rumun ishte ndryshe. Votat janë të qarta, qytetarët folën. Më vjen keq! Po i jap fund kësaj përpjekjeje, mendoj, me kokën lart.

Antonescu nuk u deklarua se kë pëlqen për raundin e dytë të zgjedhjeve.

Nuk kam rekomandime. Votuesit të mendojnë vetë se idetë e cilit kandidat janë në përputhje me ato që unë i kam prezantuar.

Simion u tha mbështetësve përmes videolidhjes se “së bashku shkruam historinë!”.

Po i afrohemi një rezultati të jashtëzakonshëm, përtej atij që po e paraqesin televizionet [kryesore]… të cilat dinë vetëm të nxisin përçarje me arrogancë, të helmojnë, të shtrembërojnë gjithçka e të përhapin gënjeshtra.

Zgjedhjet u përcollën me interesim edhe jashtë Rumanisë, pjesërisht për faktin që Simion bëri deklarata kontroverse me pretendimet për pjesë të territoreve ukrainase dhe moldaviane, si dhe me vënien në pikëpyetje të ndihmës ushtarake për Ukrainën.

Po ashtu, kritikoi pushtimin e vazhdueshëm rus të Ukrainës. Nëntorin e kaluar, Calin Georgescu, nacionalist prorus, i konsideruar si kandidat pa përvojë, arriti një fitore të befasishme në rundin e parë të votimit.