Bota

Rumunët sërish te kutitë e votimit pas anulimit të zgjedhjeve presidenciale!

Në Rumani janë hapur vendvotimet për zgjedhjet e rëndësishme presidenciale, të anuluara duke e futur shtetin e Bashkimit Europian e të NATO-s, në krizën më të rëndë politike në dekada. 11 kandidatë po garojnë e pritet balotazh, më 18 maj. Qendrat u hapën më 07:00, sipas orës lokale e mbyllen më 21:00. Diaspora ka mundur të votojë që nga e premtja. Fokusi nuk është vetëm te fituesi, por edhe nëse mund të shmanget debati i 2024-ës.

Herën e kaluar, në nëntor, kandidati nacionalist prorus, Calin Georgescu shkaktoi befasi të madhe kur në raundin e parë doli i pari, duke fituar rreth 2 milion vota. Paraprakisht qe parë si figurë pa gjasa për fitore, por nuk pati fatin të garonte në balotazh. Autoritetet rumune anuluan rezultatet mes akuzave për ndërhyrje ruse në fushatën zgjedhore. Më pas, Georgescut iu ndalua pjesëmarrja në zgjedhjet e reja dhe autoritetet vendosën shumë rregulla për votimet e sotme.

Ngjarjet e vitit të kaluar ishin jashtëzakonisht kontradiktore, duke i dhënë Rumanisë një rëndësi të papritur në mediat ndërkombëtare. Kur zv.presidenti amerikan, JD Vance, reagoi gjatë një fjalimi në Konferencën për Sigurinë në Mynih në shkurt, situata u bë edhe më e tensionuar.

Rumania anuloi rezultatet e zgjedhjeve presidenciale, bazuar në dyshime të dobëta të një agjencie inteligjence dhe nën presionin e madh nga fqinjët, u shpreh numri dy i Shtëpisë së Bardhë para një audience të habitur politikanësh dhe diplomatësh.

Si në shumë shtete të BE-së, ndjenja anti-establishment është e lartë në Rumani, nxitur nga inflacioni i lartë dhe kostoja e jetesës, deficiti i lartë buxhetor e një ekonomi e dobët. Teksa të dhënat nga sondazhet vendase duhet të merren me rezerva, gjysma e tyre sugjerojnë se nacionalisti i ekstremit të djathtë, George Simion ka gjasa të kalojë në raundin e balotazhit, ku pritet të përballet me kryebashkiakun e Bukureshtit, Nicusor Dan apo me kandidatin e koalicionit qeverisës, Crin Antonescu.

Dan, 55 vjeç, është matematikan dhe aktivist kundër korrupsionit. Më 2016-ën, themeloi partinë Bashkimi për Shpëtimin e Rumanisë (USR). Ai po garon me një ofertë pro Bashkimit Europian dhe ka deklaruar se Rumanisë i duhet një president “i cili ka vullnet dhe aftësi për të reformuar sistemin”. Centristi Antonescu, 65 vjeç, bëri fushatë duke ritheksuar orientimin properëndimor të Rumanisë.