Sport

Anglia në festë, pas 55 vitesh në finalen e një Europiani!

Për të parën herë pas 55 vjetësh, Anglia e gjen veten në finalen e një Europiani. Një natë më parë, “Tre Luanët” fituan me rezultatin 2-1 ndaj Danimarkës në gjysmëfinalen e Wembly.

Një mbrëmje nga ato të çmendurat për “Wembley”-n, me Danimarkën që nuk doli e humbur nga ky Europian por si në çdo garë duhet të ketë gjithmonë një fitues. Në shtëpinë e anglezëve, danezët nuk e patën aspak të thjeshtë.

Me një lojë të zgjuar e shfrytëzues në maksimum të goditjeve të dënimit, danezët gjetën rastin e duhur për të lëshuar goditjen e tyre me Damsgaard që la të shtanguar Pickford-in në portë, për epërsinë e skandinavëve. Goli ngriu tribunat e “Wembley”-t por jo fushën ku Sakha në dy raste të menjëhershme tregoi se pse është ndoshta gjetja më e madhe e Southgate-it në këtë kompeticion ashtu si dhe Sterling konfirmoi se është i shpejtë e në shpërdorimin e rasteve teksa në të 38-ën e dërgoi topin në trup Schmeichel-it. Një minutë më pas mendoi Kjaer për ta papraprirë në goditje për golin e barazimit.

Goli u duk sikur shkundi nga themelet Wembley-n dhe Anglinë që në pushim shkoi në barazim por prej aty doli me ide të qarta për ta fituar sfidën, vetëm se nuk bënë llogaritë me Schmeichel që në të 55-ën tregoi se është i denjë për emrin që mban mbi supe kur ndali Maguire me një zgjatje fantastike. Anglia ishte dominuese dhe njëherë tjetër u nevojit sërish Schmeichel për të larguar rrezikun. Shpresat e Anglisë për të shmangur zgjatjen u shuan në këmbët e Kane në të 97-tën dhe futbolli shkoi në shtesë.

Drejtimin për në shtëpi duhej t’ia jepte Anglia por në më tepër se një rast u ndal te muri i Schmeichelit, përpara se Sterling të bënte atë që bën më mirë, depërtimin me shpejtësi në zonë dhe fitimin e faullit që solli 11-metërshin e ëndrrave. Anglia tashmë ishte shumë pranë finales së parë europiane dhe në Wembley atmosfera ndihej e tëra. Gjithsesi Danimarka nuk kishte ndërmend të dorëzohej dhe Braithwaite detyroi Pickford në të 114-tën të zgjatej për të shmangur barazimin.

Tani, Anglinë e pret përballja me Italinë në finalen e 11 korrikut po në Wembly, që do të hapet me 75% të kapacitetit. Stadiumi më i madh anglez do të lejojë deri në 60 mijë tifozë në ndeshjen më të rëndësishme të kompeticionit që mbyllet të dielën.