Sport

Arnautoviç bëhet pishman; kërkon falje në shqip dhe maqedonisht

Futbollisti me origjinë serbe i Kombëtares së Austrisë, Marko Arnautoviç, përmes mediave sociale ka kërkuar falje për incidentin e djeshëm me futbollistin e Kombëtares së Maqedonisë së Veriut, Ezgjan Alioskin. Bëhet fjalë për një moment që kamerat e ndeshjes Austri-RMV në Bukuresht e kapën duke sharë në gjuhën serbe “nënën shqiptare”.

Dhe paradoksi është që vet futbollisti i lindur në Austri mban mbiemrin Arnautoviç, që në vetvet është simbol i identifikimit si “shqiptar”. Ai ka lindur nga një baba nga Serbia dhe nënë austriake.

Gjithsesi pas incidentit gjatë lojës në kuadër të fazës së parë të Euro2020, Arnautoviç ka shprehur keqardhje. Në një story në Instagram ai ka publikuar një mesazh në gjuhën shqipe dhe maqedone.

“Kishte fjalë urrejtjeje dje gjatë ndeshjes përplot me emocione për të cilat dëshiroj të kërkoj FALJE – veçanërisht nga miqtë e mi nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Dëshiroj të them një gjë shumë qartazi: UNË NUK JAM RACIST! Kam miq pothuajse në të gjitha vendet dhe mbështes diversitetet. Secili që më njeh mua e din këtë. ИЗВИНЕТЕ – MË FALNI” – ka shkruar në Instagram futbollisti austriak Marko Arnautoviç.