Celebrities Music Showbiz

Bashkëpunimi i Elton John dhe Dua Lipa-s arrin një tjetër sukses…

Bashkëpunimi i Elton John dhe Dua Lipa, “Cold Heart”, ka arritur të ngjitet në krye të klasifikimit të “The Official Big Top 40”. Ky është projekti i dytë i Elton John që ka arritur vendin e parë këtë vit pas “It’s a Sin” në bashkëpunim me Olly Alexander. Në një bisedë me prezantuesin e “Big Top 40”, Will Manning, Elton John u shpreh:

Epo në moshën time, të kesh një këngë në vend të parë në klasifikim është një surprizë e jashtëzakonshme, një arritje. Dua të them se kjo është një ëndërr e bërë realitet.

Ai më pas vijoi me një falënderim për artisten shqiptare, të cilën e vlerëson shumë dhe ka një respekt të veçantë për të. Elton John tregoi se ka telefonuar Ed Sheeran për t’i dhënë lajmin duke qenë se ishte në krye të tabelës javën e kaluar.

Ai ishte shumë i emocionuar për mua. Ne jemi miq të mirë.

Hyrja më e madhe e kësaj jave ishte nga grupi ABBA me projektin “I Still Have Faith In You”, duke kaluar menjëherë në vend të dytë. Little Mix janë rikthyer gjithashtu me këngë të re të quajtur “Love (Sweet Love)” dhe u renditën në vendin e dhjetë në klasifikim.

Së fundmi, Elton John ka zbuluar se së shpejti do të nxjerrë një album të ri i cili është regjistruar gjatë pandemisë. Albumi “The Lockdown Sessions” do të dalë më 22 tetor dhe përfshin bashkëpunime me artistët si Dua Lipa, Stevie Wonder, Lil Nas X, Stevie Nicks, Gorillaz, Eddie Vedder, reperi Young Thug dhe Nicki Minaj. Gjatë një interviste, këngëtari tregoi se regjistrimet janë kryer në internet, përmes aplikacionit “Zoom”.