Sociale

Çrregullimet e shëndetit mendor, të rinjtë mosha më e stresuar

Dyfishohen problemet e shëndetit mendor në popullatën shqiptare . Pas 2 viteve pandemi, mjekët po përballen më fluks të shtuar pacientësh që vuajnë kryesisht nga stresi dhe ankthi.

“Sipas OBSH, jo vetëm nga afër askush nuk është normal, por një në katër persona vuan nga probleme të shëndetit mendor. Mendoj që kjo shifër mund të jetë akoma më e lartë me atë që shohim tek ne. Nëse dikur bënim 10-12 vizita, në ditë sot shkojmë deri në 25 vizita, jemi dyfishuar”.

Për psikiatren Arjana Reli të rinjtë, 20 deri 45 vjeç, janë grupmosha më e stresuar. Tek ta dominojnë çrregullimet e ankthit, të humorit, stresi dhe pagjumësia.

Por mes të rinjve që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor po vihet re përdorimi i medikamenteve të rrezikshme pa recetë.

Mjekët u bëjnë thirrje farmacistëve, por veçanërisht prindërve të bëjnë kujdes. Çrregullimet e shëndetit mendor nuk kanë kursyer as të vegjlit. Ditë më parë mjeket psikiatër thanë se janë shtuar fëmijët që vuajnë nga stresi dhe ankthi veçanërisht pas pandemisë dhe problemeve që shkaktoi izolimi nga COVID-19. /A2