Bota Tech

Drejton një nga kompanitë më të rëndësishme të teknologjisë në botë por CEO i Apple Tim Cook është kundra ‘fëmijëve digjitalë’!

Pavarësisht se drejton një nga kompanitë më të rëndësishme të teknologjisë në botë, CEO i Apple, Tim Cook, nuk dëshiron t’i shohë fëmijët të fiksuar pas internetit. “Fëmijët po lindin digjitalë, tani janë fëmijë digjitalë”, citohet të ketë thënë Cook në një profil të gjatë të tij të publikuar në revistën GQ të hënën. “Dhe është, mendoj, shumë e rëndësishme që të vendosen disa kufizime të forta”.

Cook i cili nuk ka fëmijë, tha se ai nuk donte ta shihte nipin e tij duke përdorur rrjetet sociale dhe madje argumentoi se përdorimi i teknologjisë në shkolla duhet të kufizohet. Në profilin e GQ, Cook sugjeroi se Apple nuk funksionon nga nxitja e varësisë digjitale.

Në vend të kësaj, ai tha se kompania është e përqendruar në ndërtimin e produkteve që fuqizojnë njerëzit të bëjnë, të mësojnë apo edhe të krijojnë gjëra që përndryshe nuk mund t’i bënin. Ndërkaq, foshnjat e realitetit virtual ka gjasa të jenë një dukuri e zakonshme brenda 50 vjetëve, thotë një eksperte e lartë e inteligjencës artificiale.

Nga fillimi i viteve 2070, një në pesë çifte mund të zgjedh një fëmijë digjital në vend të një foshnjeje të vërtetë, mendon ekspertja Catriona Campbell. Fëmijët e krijuar nga kompjuteri do të ekzistojnë në metaversin virtual, një lloj teknologjie 3D dhe do të vijnë në jetë me prekjen e një butoni.