Celebrities Music Showbiz

Eurovision publikon këngët më të klikuara të janarit 2023, në vend të dytë Luiz Ejlli me “Zjarr e ftohtë”!

Festivali i madh evropian i muzikës, Eurovision, publikon çdo muaj në kanalin YouTube listën me 20 këngët më të dëgjuara të këtij festivali ndër vite. E në listën e këngëve më të dëgjuara të janarit të vitit 2023, fansat e Eurovisionit kanë mbetur të habitur, pasi një këngë e vitit 2006 ka arritur të renditet e dyta në këtë listë.

Bëhet fjalë për këngën “Zjarr e ftohtë” të Luiz Ejllit, me të cilën ka përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision 2006. Që pas hyrjes së tij në spektaklin “Big Brother VIP Albania 2”, ai është kthyer në personazhin më të komentuar në rrjetet sociale dhe fansat kanë nisur të shprehin interesimin edhe për karrierën e tij të dikurshme.

Kënga “Zjarr e ftohtë” ka ngjallur një interes të madh te publiku pas hyrjes së tij në “BBVA” ku brenda një muaji ajo ka arritur më shumë se një milion klikime. Kënga kishte vetëm rreth 220 mijë klikime para se ai të futej në shtëpi, ndërsa tani kur ka kaluar vetëm një muaj, “Zjarr e ftohtë” numëron mbi 1.5 milion klikime në YouTube. Ndërkohë, në listën e 20 këngëve më të dëgjuara të Eurovisionit në muajin janar 2023 është edhe kënga e sivjetshme përfaqësuese e Shqipërisë në Eurovision, “Duje” nga Albina dhe Familja Kelmendi.

“Big Brother VIP”, reality show më i ndjekur nga shqiptarët zhvillon edicionin e tij të dytë dhe personazhet pjesëmarrës kanë arritur të tërheqin vëmendjen e publikut, që në datën e nisjes më 24 dhjetor të vitit që lamë pas. Përballimi i dinamikave të ngjarjeve, shfaqja e një personaliteti njerëzor dhe krijimi i situatave komike janë ato çka vlerësohen më shumë në këtë lojë.

E një nga banorët më të komentuar të këtij edicioni, për të mos thënë më i komentuari, është padyshim Luiz Ejlli. Publiku është afeksionuar pas tij që nga forca e treguar, loja që ka zgjedhur të bëjë, debatet e shumta, notat e tij të humorit, historia e dashurisë me Kiara Titon, e shumë e shumë motive të tjera.