Tech

Ju njohim me robotin “centaur” që së shpejti shpreson të vizitojë Hënën!

Një kompani japoneze shpreson që roboti i saj i ri të vizitojë së shpejti Hënën. Kompania Gitai prezantoi së fundmi robotin e saj, i cili “po stërvitet” në një ambient ku është simuluar sipërfaqja e Hënës. E gjithë sipërfaqja u sigurua nga kompania japoneze hapësinore Jaxa, që kontribuoi në krijimin e kushteve optimale në mënyrë që roboti, i quajtur R1, të jetë sa më gati për vizitën e planifikuar në Hënë.

Roboti ka katër rrota dhe dy duar, çka e bën atë të ngjajë me një ‘centaur’, një figurë mitologjike gjysmë kalë, gjysmë njeri. Kompania shpreson që R1 të arrijë në sipërfaqen e Hënës në mesin e kësaj dekade. R1 do të mund të regjistrojë me kamera atë që do të shohë në Hënë dhe mund të mbledhë dhe spostojë copëza nga terreni i atjeshëm. Përveç kompanisë japoneze, edhe kompania amerikane e prodhimit të armëve, ‘Lockheed Martin’ dhe ‘Astrobotic’, po punojnë për të ndërtuar robotët e tyre hënorë.

Rikujtojmë, se themeluesi dhe drejtori i kompanisë Tesla, Elon Musk, së fundmi ka bërë të ditur se roboti humanoid do të prezantohet më 30 shtator. Bëhet fjalë për prototipin e robotit humanoid që besohet se deri atëherë do të jetë funksional. Optimus apo Optimus Subprime është roboti humanoid që Musk e paralajmëroi gjatë Tesla Ai Day në gusht të vitit të kaluar, ku prezantohet vizioni i miliarderit sa i përket robotit që do të mund të kryente detyra të caktuara në vend të njeriut.

Sjellim në vëmendje se punëdhënësit në vende të ndryshme të botës po kërkojnë mënyra të ndryshme për të mbuluar mungesat e fuqisë punëtore dhe shumë prej tyre gjithnjë e më shumë po shkojnë në drejtim të asistencës së teknologjisë së automatizuar dhe robotëve. Orientimi drejt teknologjisë së automatizuar nuk është ndonjë gjë e re dhe kjo lloj teknologjie është një fenomen shpëtues për shumë kompani të cilat nuk arrijnë objektivat me fuqinë punëtore, thuhet në një raport të ‘Wall Street Journal’.