Jurgis Çyrbja dorëzon mandatin e deputetit të Partisë Socialiste ndërsa para dy ditësh ishte në SPAK ku u mor në pyetje, por vuri në dukje se dorëheqja nuk ka asnjë lidhje me thirrjen në prokurorinë e posaçme. Vendimi për t’i dhënë fund detyrës si ligjvënës u konfirmua nga vetë Çyrbja, i cili në një reagim për mediat deklaroi se nuk ka asnjë shqetësim të natyrës ligjore, por ka nevojë të kujdeset për shëndetin dhe se vendimin e mori në vlerësim të situatës së tij personale.
Kam nevojë për kohë. Do të kujdesem për shëndetin tim. Nuk kam asnjë shqetësim të natyrës ligjore. Dorëheqja nuk lidhet me thirrjen në SPAK. Ishte një vendim që e mora në vlerësim të situatës sime personale.
Për Çyrbjan është bërë kallëzim për shpërdorim detyre nga Partia Demokratike në kohën kur drejtonte Hipotekën e Durrësit. Rasti u kallëzua nga Edi Paloka në zgjedhjet politike të vitit 2021. Pasi u mor për 5 orë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u shpreh se nuk është marrë i pandehur.
Nuk kam koment, nuk jam marrë i pandehur!