Aktualitet

Në 2020-ën, Shqipëria me rritjen më të lartë të vdekjeve shtesë në Europë, e konfirmon FMN!

Vitin e kaluar, që përkon me pandeminë koronavirus, Shqipëria kishte rritjen më të lartë të vdekjeve në Europë, në raport me mesataren e 2015-2019. Kjo sipas një grafiku të fundit të publikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në “Pasqyrën Rajonale Europiane të Tetorit 2021”.

Referuar grafikut, në 2020-ën vdekjet shtesë ishin mbi 20% më të larta se mesatarja e 2015-2019, të parët në Europë, të ndjekur nga Maqedonia e Veriut, rreth 18% dhe Kosova, me afro 17%. Nga shtetet e rajonit, vdekshmëria më e ulët shtesë ishte në Serbi, me rritje rreth 10%, ndërsa në Bosnje +15%.

Në Europë, Norvegjia, Letonia, Danimarka e Finlanda ishin vendet më pa pasoja në humbjen e jetëve nga pandemia në 2020-ën. Ato panë një rritje të vdekshmërisë shtesë, me më pak se 5%, për periudhën e analizuar nga FMN. Në vitin 2020, Shqipëria kishte një nga rëniet ekonomike më të ulëta në Europë, me -3.3%, në një kohë kur Italia u tkurr me rreth 9%, por kjo rezulton se ka ardhur me kosto të larta në jetët e humbura. Italia, që u përball me valën e parë të pandemisë, për gjithë vitin, shënoi një rritje të vdekshmërisë shtesë me më pak se 14%, në raport me mesataren e 2015-2019.

Humbjet e larta të jetëve në vendin tonë erdhën ndonëse jemi ndër shtetet me moshën mediane më të re në Europë, sipas një tjetër grafiku të publikuar po në raportin e FMN-së.

Në Shqipëri, mosha mesatare është rreth 37-vjeç, në Itali, 47.2, në Gjermani 46, Portugalia e ka 45.5 e Greqia 45.2. Të gjitha këto shtete, ndonëse me popullsi më të plakur kishin vdekshmëri më të ulët shtesë se Shqipëria. Gjermania e pati 5%, ndër më të ulëtat në Europë, ndërsa Greqia, më pak se 10%.

Edhe një raport i mëparshëm Komisionit Europian njoftoi se Shqipëria kishte shtesën e vdekjeve në 2020-ën më të lartën në Europë, si pasojë e përhapjes së pandemisë COVID-19. Në grafikun e publikuar nga Komisioni, në një raport të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), vdekjet shtesë në 2020-ën ishin 27% më të larta se ato mesatare vjetore në periudhën 2016-2019. Përqindja ishte më shumë se dyfishi i vdekjeve shtesë në BE dhe më e larta në Ballkan.

Të tjera të dhëna të EUROSTAT-it, të përpunuara më herët nga revista “Monitor” tregojnë se e njëjta tendencë ka vijuar edhe në 3-mujorin e parë të 2021-it, me Shqipërinë që vijoi të shënojë vdekshmërinë më të lartë shtesë, në raport me periudhën para pandemisë. Duke përfshirë 3-mujorin e parë të vitit 2021, vdekjet për periudhën 2 mars 2020-15 mars 2021 u rritën me 41%. Pas nesh, shteti i dytë me rritjen më të lartë është Çekia me 25%, e ndjekur nga Sllovakia me 24%.