Celebrities Fashion Live From Tirana

Pasi veshja e tij u bë virale, reagon Niko Komani: “Isha ‘delja’ që u sakrifikua…”

Sot i ftuar në emisionin “Live from Tirana” ishte stilisti i njohur Niko Komani. Disa ditë më parë Niko postoi disa foto të tij, me një paraqitje e cila vlen të theksojmë se u bë menjëherë virale. Veshja e Nikos paraqiste një anë feminile, që ndoshta jo çdokush e ka pritur mirë. Për më shumë rreth kësaj Niko na thotë:

Mbase është veshja ime më ekstravagante, në 12 vite që merrem me këtë profesion. E kam mirëmenduar shumë kohë përpara, e kam pasur të qartë dëshirën për t’u larguar pak nga kornizat e stilistëve shqiptar. E kam bërë për veten time si fillim, për edhe për një hap më tutje të gjësë, është si sipërmarrje për disa njerëz që e kanë të vështirë të shprehen, meshkuj që nuk guxojnë me look-un e tyre, apo njerëz në jetën personale. Kam marrë komente pafund për këtë veshje. Kam postuar në “Instastory” disa komente negative. Unë si tip edhe pse nevrikosem shpejt, e filtroj 100% atë që dua të them, kam filtruar më shumë akoma në këto komente sepse realisht ishin shumë banale, degraduese. Jam rritur me këto gjëra, nuk më bëjnë përshtypje.

Nëse mendojnë se po më bullizojnë thjesht po m’i bëjnë videot më virale dhe e marr për kompliment. Mos pëlqesh një veshje është normale, subjektive sepse secili ka shijet e tij, por opinion personal mbi mua, mbi veshjen time është e tepërt. I jam përgjigjur 40% të mesazheve, nuk meritojnë qytetari kur arrijnë në atë lloj banaliteti. Kur më shohin të veshur ashtu të ndërrojnë kanal sepse qëllimi im nuk është të hap mendjen e disave që janë të mbuluar me tabu nga koka te këmbët, por qëllimi im ishte të lehtësoja disa njerëz që e kanë me dëshirë të shfaqin imagjinatën e tyre në veshje. Në të përditshmen time unë jam i thjeshtë dhe u habita me reagimet e tyre sepse më shohin gjatë përditshmërisë. Kam pritur komente pozitive nga të rinjtë por nuk ndodhi. Mendoj se isha ‘delja’ që u sakrifikua.