Film & Tv

“Queenpins” ku luan Bebe Rexha në listën e 10 filmave më të shikuar në Netflix!

Filmi “Queenpins”, ku ylli i muzikës pop Bebe Rexha zë një rol kyç, ka arritur të pozicionohet në mesin e 10 filmave më të shikuar në Netflix për vitin 2024 deri më tani. Këngëtarja luan rolin e një specialiste të IT-së e cila ndihmon një grup grash në realizimin e një vjedhjeje kibernetike të ndërlikuar.

Suksesi i filmit në platformën e filmave është dukshëm impresionues, ku “Queenpins” mbajti vendin e shtatë në listën e filmave më të shikuar për më shumë se një javë. Statistikat e Netflix tregojnë se filmi ka arritur të tërheqë mbi 4.4 milionë shikime në vetëm një javë, duke e bërë të qartë interesin e madh të shikuesve ndaj kësaj komedie.

Historia e filmit është frymëzuar nga ngjarje të vërteta dhe ndjek skemat e një grupi grash në Phoenix të Arizonas, të cilat fillojnë një skemë të paligjshme të kuponëve që shkon deri në vlerën e miliona dollarëve. Ky është roli i parë filmik që këngëtarja shqiptare ka marr në një film hollivudian. Rikujtojmë, se Bebe bëri një paraqitje spektakolare së bashku me DJ e njohur, David Guetta gjatë ceremonisë së mbylljes së finales së Kampionatit Botëror të FIFA-s për klubet.

Ngjarja madhështore u mbajt në stadiumin “King Abdullah Sports City” në Jeddah, Arabi Saudite. Bebe mori vëmendjen jo vetëm për super performancën magjike por edhe për veshjen e saj të veçantë. Ylli i muzikës pop dukej jashtëzakonisht sensacionale teksa doli në skenë dhe elektrizoi skenën. David Guetta, i cili pritet të bëhet baba sërish, ishte gjithashtu i pranishëm.