Celebrities Magazine Showbiz

Rita Ora, artistja e parë shqiptare që shfaqet në revistën prestigjoze…

Fotografi me famë botërore, Bryan Adams, ka realizuar së fundmi disa foto të Rita Ora-s për kalendarin “Pirelli 2022”. Adams është marrë dhe me realizimin e fotografive për të famshme të tjera, si Cher, Grimes, Jennifer Hudson, Iggy Pop, Normani, Saweetie dhe St. Vincent, për edicionin e ardhshëm të kalendarit “On The Road”.

Së bashku me zbulimin e yjeve të këtij viti, “Pirelli”, ka publikuar edhe një fotografi bardhë e zi të këngëtares së famshme, Rita Ora. Në një deklaratë për shtyp, fotografi thotë se:

Rruga është vendi ku kam qenë për 45 vitet e fundit, sepse jeta e një muzikanti përbëhet nga rrugë, udhëtime, fjetja në hotele dhe orë të tëra duke qëndruar në prapaskenë.

Kalendari “Pirelli” i vitit të kaluar shënoi një epokë të re për markën, duke u larguar nga fotografitë e modeleve tipike ‘topless’ dhe xhirimeve seksi, duke ndryshuar konceptin e fotografive. Në një nga fotografitë e kalendarit, Rita shihet e veshur me një fustan të bardhë, duke pozuar në sediljen e një makine në mes të rrugës në Los Angeles, ndërsa një tjetër fotografi ajo shfaqet nudo.

Titulli i Kalendarit “Pirelli” të vitit 2022 nga Bryan Adams është “On The Road” dhe do të shfaqë disa nga talentet më të mëdha nga bota e muzikës, ndërsa fotografitë janë realizuar në Los Angeles dhe Capri. Kalendari synon të paraqesë një udhëtim, duke bashkuar artistë të kombësive, zhanreve muzikore, moshave dhe historive profesionale nga më të ndryshmet.

Cher, Grimes, Jennifer Hudson, Normani, Rita Ora, Bohan Phoenix, Iggy Pop, St. Vincent dhe Kali Uchis u fotografuan në Los Angeles, në rrugët e qytetit, Palace Theatre dhe hotelin “Chateau Marmont”, ndërsa në Capri janë realizuar fotografitë e Saweetie, përkatësisht në “La Scalinatella Hotel”. Kalendari “Pirelli” u publikua për herë të parë në vitin 1964 dhe bëri bujë kur shfaqi fotografi nudo për herë të parë nëntë vite më vonë.

Pas 10 vitesh jashtë tregut për shkak të kufizimeve financiare, “Pirelli” u rikthye duke bërë goxha zhurmë në vitin 1984, kur erdhi më seksi se çdo numër i tij më parë. Kompania italiane e gomave sinjalizoi së pari se po ndryshonte drejtimin me kalendarët e saj të vitit 2017, duke njoftuar se po “thyente rregullat klasike” dhe duke i dhënë kalendarit një frymë të ri feministe. Ky ndryshim erdhi me fotografitë e të famshmeve si: Robin Wright, Julianne Moore, Charlotte Rampling dhe Helen Mirren dhe u konsiderua si një triumf për përfaqësimin e grave në moshë më të madhe.

Ndërkohë rikujtojmë se, Rita Ora ka vendosur të shkëputet nga Britania e Madhe dhe të transferohet përgjithmonë në Los Angeles. Ylli mesa duket mezi po pret një fillim të ri me të dashurin Taika Waititi. Rita thuhet se ka vendosur të zhvendoset përgjithmonë në Los Angeles pavarësisht se ka shpenzuar 7.5 milionë paund në një pallat me 6 dhoma gjumi në Londrën Veriore gati një vit më parë.