Sport

“Sir” Lewis Hamilton, piloti britanik nderohet me titullin e veçantë!

Nuk ia doli të triumfonte këtë vit, që do të ishte titulli i tetë dhe rekord absolut në Formula 1, por Lewis Hamilton merr një tjetër titull.  Piloti britanik i Mercedes-it, një legjendë e gjallë e garave të shpejtësisë, ka marrë një vlerësim të jashtëzakonshëm në vendlindje.

Princi Charles i Uellsit, i dha titullin “Sir” 36-vjeçarit, si shenjë vlerësimi për arritjet e jashtëzakonshme në sport. Hamilton bëhet piloti i katërt i Formula 1 që fiton titullin “Sir”.

Piloti ishte i shoqëruar nga nëna e tij në ceremoninë që u mbajt në Kështjellën e Winsdor.

Një mirënjohje e lidhur edhe me aktivitetin e rëndësishëm të kryer nga Hamilton jashtë pistave dhe lidhur me projektet e përfshirjes dhe barazisë gjinore.

Kujtojmë se pak ditë më parë Max Verstappen u bë kampioni i ri i Botës në Formula 1. Në moshën 24-vjeçare, Verstappen i jep fund hegjemonisë së Lewis Hamilton, i cili në fakt e mendoi të sigurtë titullin numër tetë në karrierë. E gjitha kjo sepse britaniku ishte në udhëheqje të garës deri në xhiron e fundit në pistën e Yas Marina në Abu Dhabi.