Aktualitet Politikë

Zgjedhjet e 14 Majit, kryefjalë e takimeve të ambasadores Kim me Gjiknurin, Alibeajn e Metën!

Zgjedhjet vendore të 14 Majit, situata politike në vendin tonë dhe rekomandimet e ODIHR-it pas procesit të fundit elektoral, sot ishin në fokus të takimeve që Yuri Kim pati me Damian Gjiknurin dhe Enkelejd Alibeajn. Fillimisht, ambasadorja amerikane në Tiranë u ndal në selinë e Partisë Socialiste. Sekretari i Përgjithshëm i këtij subjekti deklaroi:

Garantova ambasadoren lidhur me vendosmërinë e Partisë Socialiste për të kontribuar aktivisht për një proces zgjedhor në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.

Nga ana e saj, diplomatja e Uashingtonit ripërsëriti mbështetjen amerikane kundrejt Shqipërisë, në përpjekjen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Pas takimit me Gjiknurin, mjediset e Kryesisë së Kuvendit ishin ndalesa e radhës e ambasadores Yuri Kim, kësaj here për takimin me Enkelejd Alibeaj.

Më 6 mars ishte Alibeaj që dërgoi në Komision kërkesën për regjistrimin e PD-së në zgjedhjet vendore të 14 majit. Për Selinë Blu kjo ishte “pikë e nxehtë diskutimi mes demokratëve” e që kulmoi me zhvillimet e 3 marsit kur lidhur me vulën e PD-së ra vendimi i Gjykatës Tiranë që njohu Kuvendin e Berishës të 11 dhjetorit 2021. Apeli ktheu çështjen për rigjykim.

Të premten e kaluar, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm vendoi të kthejë për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë çështjen që lidhet me konfliktin e brendshëm në Partinë Demokratike për drejtimin e kësaj force politike. Me këtë vendim, juridikisht, strukturat drejtuese të PD-së janë ato të zgjedhura në kohën kur forcën politike e drejtonte Basha, i cili në mars të vitit të kaluar dha dorëheqjen. Kryetar i komanduar u caktua nënkryetari Enkelejd Alibeaj, i cili tani konsiderohet si përfaqësues i ligjshëm i PD.

Krahas 14 Majit, Alibeaj e Kim diskutuan edhe për rekomandimet e ODIHR, shqetësimet mbi përdorimin e administratës e pastërtinë e kandidatëve, si shqetësime të vazhdueshme të opozitës që kanë shoqëruar problematikën e proceseve të fundit zgjedhore në vend.

Alibeaj tha:

Në emër të PD-së garantova ambasadoren e SHBA-ve për vullnetin e mirë, tonin për t’u përfaqësuar denjësisht në këto zgjedhje duke zbatuar rekomandimet e ODIHR, duke ndarë me të shqetesime të ndryshme përfshirë dhe rolin e medias, para dhe gjatë fushatës elektorale.

Po ashtu, Kim ishte në zyrën e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili tha:

Diskutuam për situatën e rëndë të krijuar nga qeveria në Kuvend. Bllokimi i komisioneve hetimore e interpelancave do të thotë rrëmbimi de facto i Parlamentit. Folëm për përdorimin e administratës shtetërore në funksion të shit-blerjes së votës.  Ka një rëndim të situatës lidhur me pastrimin e parave, narkotrafiqeve e veprimtarisë kriminale.