“Një numër i madh subjektesh, gjyqtarë e prokurorë, janë marrë në ndjekje penale nga SPAK”-u. Kjo u pohua nga numri një i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, gjatë një konference të përbashkët me Shoqërinë Civile, mbi arritjet, sfidat e procesit të vetting-ut, si dhe luftën kundër korrupsionit.
Sot që flasim, SPAK-u ka marrë në ndjekje penale gjyqtarë të Kushtetueses, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës së Shkallës së Parë, prokurorë të Përgjithshëm, prokurorë të Shkallës së Parë, oficerë të Policisë Gjyqësore. Për një numër të madh subjektesh kemi ushtruar ndjekjen penale për korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve e të tjerë funksionarëve të organeve të drejtësisë. Do ta bëjmë sa herë të kemi të dhëna, tha Dumani.
Altin Dumani theksoi se shqetësim nuk janë më prokurorët e gjyqtarët e shkarkuar por kush është në sistem.
Shqetësimi më i madh nuk janë subjektet e shkarkuara por ata që kanë kaluar këtë proces dhe vazhdojnë të ushtrojnë profesionin e gjyqtarëve e të prokurorëve. Aktualisht janë në sistem dhe ka premisa se mund të kryejnë akte korruptive.
Shefi i SPAK-ut bëri të ditur se kanë aplikuar ligjin Antimafia për subjekte të shkarkuar nga detyra e theksoi se shpesh, “materialet në procesin administrativ të vetting-ut janë përdorur si indicie për të gjetur provat në hetimin penal”. Me mbylljen e procesit të vetting-ut, në fund të vitit, drejtuesi i SPAK-ut merr edhe kompetencat e Komisionerit Publik.
Në fund të muajit dhjetor, drejtuesi i SPAK-ut merr kompetencat e Komisionerit Publik në KPA. SPAK-u ka patur raste kur ka aplikuar ligjin Antimafia për subjektet e shkarkuar nga detyra (përfshirë gjyqtarë e prokurorë). Në procesin administrativ të vetting-ut, materialet i kemi përdorur si indicie për të gjetur provat në hetimin penal. Rezultatet e hetimit administrativ janë një bazë e mirë për të gjetur prova te subjektet e shkarkuar nga vetting-u.
Ne nuk kemi qenë të verbër nga organet e vetting-ut. Me iniciativë kemi regjistruar hetime, kryesisht për veprën penale të korrupsionit. Janë çështje që i kemi në hetim e jemi të kujdesshëm duke bërë filtrime të vendimeve të vetting-ut.
Dumani shprehu gatishmërinë e institucionit që drejton, për të bashkëpunuar me shoqërinë civile, si një mënyrë edhe për përmirësimin e performancës së hetimeve të SPAK-ut.
SPAK-u bashkëpunon me shoqërinë civile e kam deklaruar se shoqëria civile është e ftuar të bashkëpunojë dhe të kërkojë informacion nga SPAK-u për tematika të caktuara. Jemi të vetëdijshëm si tematika të caktuara analizohen nga shoqëria civile e mund të shërbejnë për SPAK-un në përmirësimin e performancës për këtë tematikë të analizuar. Shpresoj që në të ardhmen të forcohet edhe më shumë ky bashkëpunim.