Situata e pandemisë ka lënë pezull evente të ndryshme në Shqipëri e jo vetëm. E teksa OBSH nuk e përjashton mundësinë e një vale të dytë goditëse të Koronavirusit, e gjithë bota po mundohet të kthehet drejt normalitetit.
Prej ditësh në vendin tonë përflitet nëse festivali kombëtar i RTSH-së do të mbahet këtë fundvit, më në fund erdhi dhe përgjigja.
Nëndrejtori i përgjithshëm i RTSH-së, Martin Leka zhvilloi takimin e parë konsultativ me krijuesit e festivalit (ku përfshihen regjisorë, muzikantë e tekstshkrues), të cilët diskutuan se për shfaqjen e 59-të tij kanë nisur parapërgatitjet.
“Pavarësisht situatës së krijuar nga Koronavirusi, është e sigurt se edhe këtë fundvit eventi më i madh i këngës në vend, do të mbahet” -shkruhej në njoftimin zyrtar të RTSH-së.
Megjithatë, nëse çdo gjë shkon mirë deri atëherë artisti i ri fitues i festivalit do të na përfaqësojë në Eurovizion, në të kundërt stafeta i mbetet sërish Arilenës.