Shtetet e Bashkuara të Amerikës kritikuan ashpër njoftimin e presidentit francez, Emmanuel Macron se ai do të njohë një shtet palestinez, duke e quajtur këtë veprim “të pamatur dhe dëmtues në përpjekjet për paqe”.
Ky vendim i pamatur i shërben vetëm propagandës së Hamasit dhe e pengon paqen, shkroi sekretari i Shtetit, Marco Rubio në X. Ky veprim ishte “një shuplakë në fytyrë” për viktimat e masakrës së 7 tetorit 2023 të kryer nga Hamasi dhe grupe të tjera ekstremiste në Izrael.
Presidenti Macron njoftoi në X se synon ta njohë zyrtarisht Palestinën si shtet gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në muajin shtator.
Ndërkaq, deklarata e Rubios pasqyroi kritikat e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili tha se veprimi i Macron-it do të shpërblente terrorizmin. Një shtet palestinez në këto kushte do të ishte një platformë nisjeje për të shkatërruar Izraelin, vuri në dukje zyra e Netanyahu-t në një deklaratë.
Sulmi i 7 tetorit 2023 nga Hamasi, në të cilin u vranë më shumë se 1 mijë e 200 persona dhe mbi 250 u rrëmbyen në Gaza, shkaktoi luftën midis Izraelit dhe grupit militant. Amerika mbetet aleatja më e ngushtë e Izraelit.
“Në përputhje me angazhimin historik për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, kam vendosur që Franca të njohë shtetin e Palestinës”, shkroi Macron. Sipas tij, paqja është e mundur.
Keir Starmer po përballet me presion për të njohur menjëherë Palestinën si shtet, mes thirrjeve në rritje nga anëtarët e parlamentit dhe një angazhimi nga Franca. Kryeministri britanik dënoi kushtet humanitare në Gaza, para një telefonate me udhëheqësit e Francës e Gjermanisë. Sipas tij, shtetësia është “e drejta e patjetërsueshme” e popullit palestinez, por pohoi se fillimisht duhet të ketë armëpushim.