Pas publikimit të këngës së saj më të re “Çike Çike”, ku një pjesë e tekstit interpretohet në gjuhën shqipe, këngëtarja Bebe Rexha ka marrë reagime të shumta pozitive nga publiku shqiptar, i cili e ka cilësuar projektin si tërheqës dhe origjinal.
Një moment që tërhoqi veçanërisht vëmendje ishte fakti që artistja ndau në InstaStory një video të Monika Kryemadhi, e cila po këndonte vargun në shqip të këngës.
Videoja ishte realizuar gjatë spektaklit të Big Brother VIP Albania, ku Kryemadhi është e pranishme në rolin e opinionistes. Në pamje ajo shihet duke interpretuar këngën, ndërsa moderatorët dhe të ftuarit në studio komentojnë performancën e saj.
Gjatë spektaklit të transmetuar më 21 shkurt, momenti u rikujtua sërish në program, duke u theksuar fakti që Bebe Rexha kishte zgjedhur ta publikonte këtë skenë në rrjetet sociale, një veprim që u interpretua si një shenjë e lidhjes së fortë të artistes me origjinën dhe publikun shqiptar.