Këngëtarja me famë botërore Bebe Rexha ka publikuar zyrtarisht këngën e saj më të re, “Çike çike”, projekti i dytë nga albumi i ardhshëm “Dirty Blonde”.
Kënga ka tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut, veçanërisht të audiencës shqiptare, pasi përfshin vargje në gjuhën shqipe, ku artistja këndon: “Çike çike, luje belin çike, ti je një bombë, bombë atomike”.
Artistja njoftoi se projekti është tashmë i disponueshëm në të gjitha platformat muzikore dhe e shoqëroi publikimin me një mesazh personal në rrjetet sociale, ku foli për lidhjen e saj të fortë me kulturën shqiptare dhe ndikimin e saj gjatë rritjes në Shtetet e Bashkuara.
Në mesazhin e saj, ajo theksoi krenarinë për origjinën shqiptare dhe rrëfeu se, gjatë rritjes, shpesh ndiente presionin për t’u përshtatur me modelin “all American”.
Sipas saj, elementët që e bënin të ndihej ndryshe janë kthyer në forcën e saj më të madhe artistike.
Rexha zbuloi gjithashtu se frymëzimi për këngën erdhi pasi dëgjoi linjën e basit të krijuar nga DJ Snake, moment kur i erdhi spontanisht shprehja “Çike çike”, një zhargon nga fëmijëria e saj që përdorej si thirrje për vajzat.
Ajo theksoi se albumi i ri trajton temën e të qenit vetvetja pa kërkuar falje, ndërsa përfshirja e elementeve nga kultura e saj shqiptare ishte një hap i natyrshëm në këtë projekt.
Artistja shprehu gjithashtu dëshirën që përmes muzikës së saj të frymëzojë të rinjtë shqiptarë në mbarë botën.
“Çike çike” vjen pas publikimit të këngës “I Like You Better Than Me”, ndërsa albumi i plotë pritet të përmbajë 13 këngë dhe po pritet me interes të madh nga fansat e artistes.