Kandidatët e opozitës për zgjedhjet e pjeshme të 9 nëntorit në Tiranë, kryetari demokrat, Sali Berisha shfaqi shpresën që sot të dilet me një emër. Berisha mohoi zërat se PD-ja nuk ka asnjë kandidat për Bashkinë e Tiranës e theksoi se janë të paktën 13 emra që përfliten, por këtë herë kanë vendosur të shkojnë me kandidat të pavarur. Nëse është apo jo Florian Binaj, nuk dha një përgjigje teksa vuri në dukje se vendimi do të merret nga koalicioni dhe aleatët.
Një falënderim dhe mirënjohje të sinqertë për të gjithë ata qytetarë, intelektualë, personalitete që shprehën dëshirën e gatishmërinë e tyre për t’u përballur në interesin më të mirë të qytetarëve të Tiranës, me të keqen që ka vetëm një emër: Edi Rama.
Pyetje: Do të keni kandidat, një emër sot…
Sali Berisha: Shpresoj se po, por do të ketë diskutime edhe me koalicionin. Shpresoj se po.
Pyetje: A kanë ardhur shumë propozime nga kandidatë të pavarur?
Sali Berisha: Janë disa, janë disa. Janë, sepse ka që e kanë shpallur publikisht ka të tjerë që e kanë shprehur dëshirën.
Pyetje: Cilët janë emrat që kanë shprehur dëshirën? Emrat më të njohur?
Sali Berisha: Emrat më të njohur janë bërë publik në media dhe disa prej tyre i kam mësuar nga ju. Unë i kam mësuar nga mediat disa. Të tjerë janë pedagogë universitetesh, personalitete të ndryshme, që duhet t’iu marrim përpara miratimin që t’i bëjmë publik, se ata kanë ndjekur rrugën që të mi dërgojnë këtu e jo t’i bëjnë publike.
Pyetje: Sot kryesia e vogël, e zyrtarizon kandidatin kryesor për Tiranë?
Sali Berisha: Do të merret dhe mendimi i aleatëve, sepse jemi në një përpjekje të përbashkët.
Pyetje: Do të bëhet sot e ditur…
Sali Berisha: Shpresoj se po
Kryesia e vogël e PD-së ka nxjerrë një listë me tre kandidatë që do t’ia paraqesë Kryesisë së madhe për miratim. Burime për Top Channel thanë se tre emrat janë Florian Binaj, kandidati që duket se ka edhe mbështetjen më të madhe, Ermal Hasimja e Florian Haçkaj. Edhe pse ishte propozuar, duket se Edlira Çepani nuk ka gjetur mbështetje në kryesinë e vogël.