Për dekada me radhë, të mbijetuarit e një infarkti kanë marrë një recetë të përjetshme; të marrin medikamente të quajtura beta-bllokues për të mbrojtur zemrën. Por tani, mjekët po shqyrtojnë më me kujdes nëse përdorimi afatgjatë i këtyre medikamenteve është vërtet i nevojshëm, veçanërisht pas vitit të parë të rikuperimit. Beta-bllokuesit janë një klasë medikamentesh që ndihmojnë në uljen e presionit të gjakut dhe ngadalësimin e ritmit të zemrës.
Ata përdoren shpesh për trajtimin e problemeve të ndryshme kardiovaskulare. Edhe pse zakonisht konsiderohen të sigurta, këto medikamente mund të shkaktojnë disa efekte anësore, si lodhje, marramendje, gojë të thatë ose sy të thatë, dhe në raste të rralla disfunksion seksual. Për më shumë se 40 vjet, beta-bllokuesit janë përshkruar si trajtim standard për të rriturit që kanë kaluar një infarkt pa komplikacione, me qëllim uljen e rrezikut të një eventi tjetër kardiovaskular.
Megjithatë, një numër në rritje studimesh po e sfidojnë këtë qasje. Disa mjekë tani argumentojnë se përdorimi i beta-bllokuesve vetëm për një ose dy vjet, nëse është e nevojshme, mund të ndihmojë pacientët të shmangin efekte anësore të panevojshme dhe të kursejnë para. Shoqata Amerikane e Zemrës dhe Kolegji Amerikan i Kardiologjisë përditësojnë rregullisht udhëzimet për trajtimin e sëmundjeve të zemrës. Në 2023, një udhëzim i ri për trajtimin e pacientëve me sëmundje kronike koronare nuk rekomandoi përdorimin afatgjatë të beta-bllokuesve në pacientët që nuk kishin pësuar infarkt në vitin e fundit. Manesh Patel, kardiolog dhe profesor në Duke, tha se të dhënat në lidhje me përdorimin afatgjatë të beta-bllokuesve pas infarktit po evoluojnë.