I ftuar në “Live From Tirana” ka qenë sociologu Gëzim Tushi, për të folur ndër të tjera dhe për një temë sociale, siç është reality show “Big Brother VIP”…
Çfarë është “Big Brother” për ju?
Unë kam shkruar për “Big Brother” edhe në edicionet e kaluara, edhe tani kam bërë një punim prej 40 faqesh, që e kam botuar edhe në shtypin e ditës, por e kam dhe të përmbledhur. Sipas mendimit tim, “Big Brother” është një eksperiment social që lidh realitetin me pjesën spektakolare. Është një zgjidhje shumë interesante. Për mendimin tim, vë re që shoqëria shqiptare është polarizuar. Ka prej tyre që janë kundra, madje i vënë përgjigjësi sikur “Big Brother” po na prish shoqërinë. Nuk është kështu. Sociologët që merren me këtë punë, thonë që nuk ka faj “Big Brother”. Problemi sipas mendimit tim, duhet parë në mënyrë të dyanshme, për të qenë objektiv. E para është ana e mirë e këtij spektakli, i këtij tele-realiteti, e kësaj shtëpie kaq të famshme, sepse kur shoqëria ka nevojë që të rinovojë sistemin e vet të zakoneve, të traditave, të rutinës, formave të cilat janë bërë arkaike, por që janë si zinxhirë në këmbët e shoqërisë, dhe ne kemi plot të tilla, akoma kemi shumë rudimente që na pengojnë në rrugën e modernitetit. Një eksperiment i tillë është ndihmues, sepse sjell paradigma të reja, modele të reja, mënyra të reja të ndërtimit të dialogut, të ndërtimit të marrëdhënive. Aty ka asocialitet, herë pas here ka agresivitet. Të mëson dhe për një gjë tjetër, që jeta e sotme nuk është jetë në muze, është jetë në garë, është jetë në konflikt. Kjo shoqëri nuk është më shoqëri e solidariteteve të mëdha, por është shoqëri e performancës individuale, e suksesit individual, e garës individuale. Në garë nuk të fal njeri. Këtë mësim ta jep “Big Brother”.
Ka dhe anën e errët. Unë them që ky ilaç që jep “Big Brother” nuk mund të jetë më kq se sëmundja që ka kapur shoqërinë. Ne presim që terapitë që vijnë nga “Big Brother” të ndihmojnë. Mirëpo aty ka shumë gjëra që janë të lidhura me faktin që je i ekspozuar, që do të dukesh, nevoja për famë është bërë e llahtarshme. Pjesa më e madhe e tyre, jam i bindur që kanë në mendje që edhe po nuk fituan, se njëri do fitojë, do fitojnë famën. Dhe lufta për famë, lufta për sukses, lufta për para, lufta për konsumizëm, janë betejat e mëdha të njeriut post-modern. Por unë nuk jam absolutisht kundër, shoqëria ka nevojë për eksperimente të tilla.